Përfaqësuesja e Kosovës mund të ketë edhe prurje tjera të mëdha nga shtetet evropiane pas sukseseve të fundit.
Kosova ka mbushur vetëm katër vite prej kohës kur u pranua me të drejta të plota në organet më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA.
Megjithatë, sukseset e Dardanëve pritet të vijnë më shpejt se sa që është menduar dhe ëndërruar.
Pas sukseseve në Ligën e Kombeve, ku Kosova përfundoi e para në Grupin e vet në Ligën D, tani po korr rezultate të mira edhe në eliminatoret për Kampionatin Evropian 2020.
Tashmë, ekipi i drejtuar nga zvicerani Bernard Challandes numëron plot 15 ndeshje radhazi pa humbje dhe ëndrra për kualifikim në Euro 2020 po afrohet.
Kosova ka tetë pikë në Grupin A, ndërsa para tyre renditet vetëm Anglia me nëntë pikë dhe kjo renditje po na bënë të mendojmë se kualifikimi nuk është më utopi.
Sukseset e fundit të Kosovës kanë bërë që tashmë shumë lojtarë të ndërrojnë mendje duke pranuar të luajnë për Dardanët sikurse Florent Hadergjonaj, Ibrahim Dresevic dhe Florent Muslija.
Por, karvani i bashkimeve kualitative nuk pritet të përfundojë këtu, pasi shumë lojtarë nga Zvicra dhe Gjermania pritet ta zgjedhin Kosovën.
Florian Kamberi (Hibernian), Kemal Ademi (Basel), Bastien Toma (Sion), Toni Domgjoni (Zurich) dhe Andi Zeqiri (Lausanne) pritet ta zgjedhin Kosovës, sidomos pas mosmirënjohjes së Zvicrës për Valon Behramit.
Edhe lojtarë tjera kualitativ si Elvis Rexhbecaj (Wolfsburg), Meritan Shabani (Wolverhampton) dhe Leon Dajaku (Bayern Munich) mund ta zgjedhin Kosovën para Gjermanisë.