Ish-zëvendëspresidenti i Barcelonës, Jordi Mestre, i ka bërë thirrje Lionel Messit ta rishikojë mendimin për t’u larguar nga Barcelona, duke thënë se lojtari më i mirë në histori nuk largohet përmes një shkrese largimi.
Messi e njoftoi Barcelonën javën e kaluar përmes një shkrese zyrtare, që në
Spanjë njihet si burofax, se dëshiron të largohet dhe këtë javë nuk u paraqit në stërvitjet e skuadrës për sezonin e ri nën urdhrat e trajnerit të ri, Ronald Koeman, transmeton Gazeta Express.
33-vjeçari ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2021, por dëshiron të largohet falas këtë verë, duke u thirrur mbi një klauzolë lirimi në marrëveshjen e tij me klubin që ia mundëson atij të largohet pa asnjë qindarkë.
Por ajo klauzolë ka mundur të aktivizohej nga Messi vetëm deri më 10 qershor.
Dhe meqë sezoni 2019/20 u shty deri në fund të gushtit, për shkak të pandemisë koronavirus, avokatët e Messit argumentojnë se edhe afati i klauzolës së tij duhet të shtyhet, gjë që kundërshtohet nga Barcelona.
Barcelona nuk ka dashur as të pranojë të flasë për largimin e Messit dhe është e gatshme të heqë dorë nga ai vetëm nëse paguhet klauzola e tij në vlerë 700 milionë euro. La Liga ka vendosur që Barcelona ka të drejtë dhe se mënyra e vetme që Messi të largohet është përmes klauzolës 700 milionë eurosh.
E Mestre ka shpresa se një marrëveshje mes Messit dhe Barçës mund të arrihet: “Çfarë mund të them unë është se shpresoj se ata e rishikojnë këtë edhe ulen për ta gjetur një zgjidhje”.
“Kur në këtë mes futen avokatët dhe burofaxi, atëherë gjërat komplikohen. Largimi duhet të jetë i denjë, siç Leo e meriton. Lojtari më i mirë në histori nuk largohet përmes burofaxit”, shtoi ai.