Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, Ben Hamed Kone, ka shkëlqyer të enjten mbrëma me skuadrën e tij, Gzira United nga Malta, së cilës ia siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.
Kone 31-vjeçar shënoi dy gola të bukur në pjesëlojën e dytë për t’ia siguruar fitoren ekipit të tij kundër Hajdukut në Split, shkruan sot Koha Ditore.
Pas humbjes në Maltë 0:2, Gzira United triumfoi në ndeshjen e kthimit me shifrat 1:3 për të siguruar dy përballje me Ventspilsin letonez në raundin e dytë të Ligës së Evropës.
Golin e tij të dytë dhe të tretin për skuadrën, që solli edhe kualifikimin, Kone e realizoi në minutën e gjashtë të kohës shtesë.
Kone u transferua tek ekipi nga Malta në qershor, pas gjashtë muajve që i kaloi te Feronikeli. Te kampioni i Kosovës zhvilloi vetëm pesë ndeshje, pasi trajneri Zekirija Ramadani nuk e vlerësoi lart për potencialin.