Ish-golashënuesi më i mirë i kampionatit rumun, Azdren Llullaku, ka mbrojtur vendimin e lojtarëve të Kosovës për ta braktisur ndeshjen me Rumaninë, pas thirrjeve “Serbia, Serbia” nga tifozët rumunë. Ish-reprezentuesi i Shqipërisë, tani 36-vjeçar, po paraqitet në ligën e tretë rumune.
Ai pret që Kosova të humbë 3:0 në tavolinë, por thotë se lojtarët mbrojtën dinjitetin duke u larguar nga fusha.
“Ata do të largoheshin nga fusha edhe sikur të ishte 3:0 për Kosovën”, ka thënë Llullaku që në Rumani fillimisht u transferua në vitin 2012.
“E pash ndeshjen në televizion. Më erdhi keq që ndodhi kështu. E di që ajo që them për disa nuk do të tingëllojë mirë. Për aq sa di, lojtarët ishin të vendosur të largohen nga fusha pas thirrjeve të para ‘Serbia, Serbia’. Jam 100 për qind i sigurt se ata nuk e kanë pritur këtë për të fituar tri pikë në komisionet e UEFA-s. Vetëm se ka shumë dhembje, pasi po vazhdon kështu. Ju e kuptoni që ne në Kosovë kemi kaluar luftën. Kemi familjarë që kanë vdekur në luftë. Unë jam larguar nga atje, i kam parë të gjitha. Është plagë që nuk është mbyllur. Më besoni, kur dëgjoni ‘Serbia, Serbia’ është shumë e dhembshme. Që kjo mos të ndodhë sërish, ata morën vendimin për t’u larguar nga fusha”, ka thënë Llullaku për “fanatik.ro”.
Ai ka gjashtë paraqitje për Shqipërinë, ndërsa ka luajtur për shumë skuadra rumune. Ka bërë karrierë edhe në Itali dhe disa vende të tjera.
Llullaku ka vazhduar t’u dal në përkrahje lojtarëve të Kosovës.
“Nga ajo që kam dëgjuar nga Rrahmani, i gjithë stadiumi ka thirrur ‘Serbia, Serbia’. Nëse do të kishte katër-pesë thirrje, nuk do të ishte problem. Por kur bërtet e gjithë masa, atëherë nuk është në rregull. Për ne në Kosovë, thirrjet ‘Serbia, Serbia’ janë shumë të dhimbshme. Më mirë të na shajnë me nënë, çka do që dëshirojnë. Po e jap një shembull që ju ta kuptoni se si ndihemi nëse ka thirrje ‘Serbia, Serbia’. Nëse në një ndeshje ndaj Palestinës ka thirrje ‘Izraeli, Izraeli’, si mendoni se lojtarët e Palestinës do të ndihen, kur kanë qindra fëmijë të vdekur, shtëpi të bombarduara. Kjo tregon se sa e dhimbshme është, pasi kemi kaluar në diçka të tillë”, ka shtuar Llullaku.
Ai ka treguar se shtëpia në Kosovë i është djegur. Ka treguar për vështirësitë që i ka përjetuar gjatë luftës.
Në mediat rumune është paraqitur edhe gjendja kaotike në të cilën lojtarët e Kosovës e kanë lënë zhveshtoren. Llullaku ka thënë se është e papranueshme që zhveshtorja të lihet ashtu dhe ka shprehur keqardhje. Ka thënë se respekti duhet të jetë i pranishëm vazhdimisht.
Llullaku ndihet mirë në Rumani dhe thotë se asnjëherë nuk ka pasur probleme. Thotë se grupe të vogla tifozësh prishin imazhin e përgjithshëm. Ai ngul këmbë se veprimi i lojtarëve të Kosovës nuk është bërë me synim për të fituar tri pikë në tavolinë dhe se njëjtë ata do të vepronin edhe sikur të ishin duke fituar. Llullaku nuk sheh arsye që në të ardhmen të përjashtohen ndeshjet mes Kosovës e Rumanisë.