Objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së martës, me ç’rast janë djegur dy zyre, raporton Ekonomia Online.
Zjarrfikësit të cilët kanë intervenuar shpejt e kanë lokalizuar zjarrin, ndërsa ka dëme materiale, ka konfirmuar për Ekonomia Online, Abdusamed Shkodra zv.komandat i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.
Ai ka bërë të ditur se përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
“Rreth orës 07:56 minuta, Brigada e Zjarrfikësve ka pranuar lajmin se objekti i Mjekësisë Ligjore është i përfshirë nga zjarri. Për një kohë të shkurt është bërë lokalizimi i zjarrit, ekipet endet janë duke vazhduar në përfundim të zjarrit”.
“Rrezik nuk ka. Çdo gjë është nën kontroll, të lënduar nuk ka. Është përfshirë një zyre, e cila ka qenë e ndarë në dy pjesë. Ka vetëm dëme materiale”, shtoi ai.
Përderisa zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti tha se janë djegur dy zyre.
“Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin”.
“Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.
Kjo nuk është hera e parë që është djegur gjatë këtij vitit ky institut. Në mars të këtij viti, kishte shpërthyer një zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo raste të tjera që janë nën hetim.
Në lidhje me zjarrin e marsit, Policia kishte dhënë detaje, duke sqaruar se nuk kishte pasur persona të lënduar.
“INCIDENT ZJARRI/Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prishtinë 25.03.2023, 20:20. Është raportuar se është përfshi nga zjarri objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore. Njësit policore si dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime”, thuhej në raport.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, zyra e djegur i takonte drejtorit të këtij Instituti.
Në oborrin e objektit të IML-së janë parë dhe policët dhe prokurori i Shtetit.
Prokuroria ka njoftuar se ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendin e ngjarjes.