Vepra të artistëve, përfshirë edhe ato të Marina Abramoviqit, do të shfaqen në Londër vitin e ardhshëm në atë që konsiderohet si pëlhura digjitale më e madhe në botë. Janë bërë të ditura detaje për programin e jashtëzakonshëm artistik përfshirë vendosjen e ekraneve me 360 shkallë dhe rezolucion 8K, në 2 mijë metra katrorë afër stacionit të metrove në “Tottenham Court Road” të Londrës.
Artisti Marco Brabilla do të kurojë një program për të cilin shpreson që do të ketë një paraqitje ambicioze dhe entuziazmuese të ngjashme me atë që ka “Turbine Hall” në galerinë e njohur “Tate Modern”.
“Nuk besoj që ka diçka të kësaj madhësie në botë e që është kaq emocionuese”, ka thënë ai. “Pasi që të fillojë, shpresoj që të arrijë ‘Turbine Hall’. Mendoni për ato instalacionet epike si ‘Weather Project’ i Olafur Eliassonit ose instalacioni i zërit i Bruce Nauma. Ambiciet janë që të krijohet një seri e instalacioneve të ngjashme”.
Ekranet janë pjesë e një rizhvillimi komercial të hapësirës në rrugën “Denmark Street” në qendër të Londrës. Rruga njihet edhe si “Tin Pan Alley” dhe njëherë ishte zemra e skenës muzikore të kryeqytetit. Projekti, “Outernet” përfshin tregje me pakicë, bare, restorante, zyre, apartamente dhe një hapësirë për muzikë në 2 mijë metra katrorë, që do të jetë hapësira më e madhe për muzikë live e ndërtuar në Londër që nga vitit 1940.
Pjesa kryesore është struktura katrore me ekranet në të cilat do të shfaqen reklamat, promocione të ndryshme, por gjithashtu edhe vepra arti, ku hyn edhe projekti që drejton Brambilla. Ai ka thënë se veprat që do të shfaqen mund të jenë provokative, të mrekullueshme, por ka kohë kur ato janë edhe intime.
Një nga prurjet e tij do të jetë edhe shpalosja e krijimtarisë së artistes nga Beogradi, Abramoviq, e njohur në botën e artit bashkëkohor dhe një pioniere e performancave, që përdor trupin e saj për të testuar limitet e saj fizike dhe mentale, për më shumë se katër dekada.
Detajet e fundit pritet që të bëhen publike, ndërkohë, por një nga veprat që do të shfaqet është një version ekskluziv i “Seven Deaths of Maria Callas” në të cilën Abramoviqi rikrijon skenat e vdekjeve në skenë të divës operistike, Maria Callas. Paraqitja e saj do të përkojë me paraqitjen e saj të vonuar e goxha problematike në “Royal Academy of Arts”.
Planet e tjera përfshijnë edhe shfaqjen e filmit “Crossroads” të Bruce Conner, që ka përdorur imazhet e papublikuara e të deklasifikuara nga testimi i bombës hidrogjenike nga SHBA-ja në vitin 1946 në Bikini Atoll.
Brambilla, po ashtu, është duke realizuar vepra digjitale të gatshme. Ai ka thënë se teknologjia ofron mundësi “për të treguar vepra të një rezolucioni që të japin pamje reale, është në një mënyrë si një dritare”.
“Teknologjia vetëm sa po bëhet më e mirë dhe unë mendoj se ka shkuar deri në një pikë ku teknologjia nuk është pjesë e bisedës, pasi që biseda bëhet për çfarëdo materiali që ne duam të përdorim”, ka thënë ai.
Rizhvillimi i rrugës “Denmark Street”, që pritet që të përfundojë në vjeshtën e vitit 2021, do të përfshijë edhe hapësira falas për incizimin e muzikës dhe hapësira dedikuar për të performuar në rrugë.
Një hotel do të zërë vend në hapësira, që më parë ishin shtëpi e “Sex Pistols” me ndërtuesit që zotohen se do të ruajnë grafitin e Johnny Rotten.
Philip O’Ferrall, shefi ekzekutiv i “Outernet Global”, ka thënë se ai është i emocionuar për mundësitë që kanë “pëlhurat digjitale, epike të tyre”. “’Outernet Arts’ është për një hapësirë kreative për paraqitjen e veprave që janë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë, dhe Marco është personi i duhur për të drejtuar gjithë këtë. Ai është një vizionar inspirues dhe me të vërtetë kreativ”.