“Louis Vuitton e Gucci”, Dogana ndalon mbi 30 mijë mallra të falsifikuara gjatë gushtit

Prishtinë | 09 Sht 2025 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Dogana e Kosovës ka ndaluar mbi 30 mijë produkte të falsifikuara vetëm gjatë muajit gusht, duke parandaluar futjen e tyre në tregun vendor.

Sipas njoftimit në Facebook, kontrollet e zhvilluara në Zyrën Doganore të Prishtinës kanë zbuluar një sërë ngarkesash me mallra pirate, të cilat do t’i nënshtrohen asgjësimit, ndërsa ndaj subjekteve importuese janë iniciuar procedura ndëshkimore.

Rastet më të mëdha të ndalimeve përfshijnë, 3000 preparate për flokë të markës TAFT, të dyshuara si falsifikate, 7200 aksesorë me markat BMW, Audi, Mercedes dhe VW, 9000 aroma veturash të markës Areon, 944 bizhuteri me logot Louis Vuitton, Gucci dhe Chanel, 623 copë farmerka të markës COS, 3700 veshje tekstili të markës Reebok.

“Këto raste dëshmojnë përkushtimin dhe vigjilencën e Doganës së Kosovës në parandalimin e qarkullimit të mallrave të falsifikuara dhe rithekson vendosmërinë e saj në luftimin e tregtisë me mallra pirate, duke mbrojtur konsumatorin, bizneset e ndershme dhe shoqërinë nga efektet negative të kësaj dukurie”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Të ngjashme