Në 20-vjetorin e Betejës së lavdishme të Loxhës, rënies së luftëtarëve Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj, si dhe në përkujtim të komandantit të Zonës III Operative të Dukagjinit, kolonel Tahir Zemaj, në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore.
Zymer Sefaj, luftëtar në betejën e Loxhës, tha se kjo është një nga betejat më të lavdishme të luftës së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
“Sot para 20 vitesh u zhvillua një nga betejat më të lavdishme të UÇK-së. Kjo ditë është emocionale për mua, por është ditë krenarie për betejën e fituar. Në betejën e Loxhës janë zgjedhur disa ushtarë që kanë pasur përvojë në luftimet e mëhershme”, u shpreh Sefaj.
“Në betejën morali ishte aq i lartë sa që gjithë rrugës këndohej kënga ‘Besa-Besë’. Sot më rrinë përpara dëshmorët e rënë. Kjo betejë iu dha serbëve shijen e hidhërimit”, tha ai.
Rexhep Surdulli, në emër të familjeve të dëshmorëve, tha se Beteja e Loxhës dëshmoi forcën dhe trimërinë e UÇK-së.
“Beteja e Loxhës iu tregoi serbëve që UÇK-ka ka një ushtri solide që mund t’i dalë zot vendit. Ne falë tyre e gëzojmë këtë liri që sot e kemi”.
Për të pranishmit në sallën e Kinemasë ABC u shfaq një dokumentar kushtuar luftëtarit të lirisë, i rënë në këtë betejë, heroit vushtrias, Lumni Surdulli.