Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka paraqitur pesë dështimet e Qeverisë në rrugën e integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, ato janë: Klientelizmi, madhësia e Qeverisë, menaxhimi abuziv i parasë publike dhe një sektor publik jo efecient. mungesa e një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikimi politik; sektor privat, me tendencë monopolizimi, një shpërndarje e ç’akorduar e të ardhurave dhe mungesa e një sistemi solid të ruajtjes së konsumatorit; Sistemi arsimor, i bazuar në premisa të nën rregullimit, mungesës së kualitetit dhe konkurrueshmërisë me rajonin dhe më gjerë; një tendencë në rritje e migrimit si rezultat i imazhit në rënie të institucioneve publike dhe mungesës së barazisë para ligjit.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në GSJP, tha se Qeveria nuk po arrin të përballet me këto sfida dhe ta çojë përpara procesit integrues të Kosovës.
“Emërimet e larta politike në institucionet e pavarura vazhdojnë të jenë të kontrolluara nga interesa partiake dhe klienteliste dhe këtë e kemi pa edhe te ndërmarrjet publike Telekomi”.
“Lufta ndaj klientelizmit është nga reformat e institucioneve dhe dështimi i qeverisë është tregues i mos seriozitet në çuarjen përpara të integrimit evropian. Ne kemi numrin me të madh të dikastereve në Qeveri. Kjo na jep dëshmi se kjo qeveri nuk ka përmbush as minimumin e kërkesave të administratës publike dhe procesit të vendimmarrjes”, tha ajo.
Loxha thotë se kjo Qeveri në vend se ta përmirësojë këtë gjendje ajo vetëm e ka përkeqësuar atë.
“Përbërja aktuale e drejtësisë e bën atë që është i ndikuar politikisht dhe është i paaftë të përballë rastet e korrupsionit. Në vend se kjo qeveri të përmirësojë këtë gjendje ajo vetëm e ka përkeqësuar atë. Zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë vend i monopolizimit ani pse sektori privat nuk mbetet aq konkurrues”, tha ajo, raporton EO.
Ajo tha se Kosova po vazhdon të përballet me sida në integrimin evropian.
“Ne theksojmë rritjen e migrimit, ne konsiderojmë se është rikthyer si shqetësim kombëtar dhe humbjen e besimit të qytetarëve te institucionet. Qeveria nuk ka tregu që gëzon aftësinë për tu përballur me jetë situatë”.
“Të gjitha këto dështime kanë të përbashkët mungesën e vullnetit politik për të zbatuar reformat në procesin e integrimit evropian dhe Kosova vazhdon të përballet me sfida në pothuajse në gjitha sferat publike dhe procesi integrues shpesh na kthehet në regres”, tha Loxha.
E sa i përket deklaratave të fundit për liberalizim të vizave, ajo tha se nuk është i sigurt ky proces që do ndodhë këtë vit.
“Nuk kemi pa asnjë premtim serioz apo perspektivë nga vendet e BE-së. Ministri gjerman kishte deklaruar të mos ngutemi se liberalizimi mund të ndodhë sivjet. Kemi shumë çështje që po pengojnë shumë zhvillime në vendin tonë. Nuk konsideroj se kemi ndonjë perspektivë të qartë se liberalizimi ndodhë këtë vit”, tha ajo.