“Britanikë, ju lutem qëndroni!”. 100 deputetë të Parlamentit europian i kanë drejtuar një letër Britanisë së Madhe me këtë mesazh të thjeshtë. “Ne ju lutemi që, për interesin e brezit të ardhshëm, ta mendoni edhe njëherë daljen nga Bashkimi Europian”.
“Çdo vendim britanik për të qëndruar në BE, – thuhet në letër, – do të përshëndetej prej nesh dhe do të punojmë së bashku për ta reformuar dhe përmirësuar bllokun”.
Më tej, eurodeputetët theksojnë se kanë vlerësuar jashtëzakonisht shumë ndikimin e politikanëve dhe qytetarëve britanikë në 40 vitet e fundit.
“Do të na mungojë aftësia dhe dija e këtyre kolegëve”, u shprehën ata.
Një nga firmëtarët e letrës, politikani gjerman i CDU-së, Peter Lise u shpreh se, ajo që po përpiqen të bëjnë është të japin një sinjal për popullsinë, por edhe për Dhomën e Komunëve, se nëse britanikët vendosin të qëndrojnë, ata janë përzemërsisht të mirëseardhur.
“Zemrat dhe dera jonë është e hapur”, shton eurodeputeti konservator gjerman.
Ndërkohë BE-ja, sipas disa informacioneve po përgatitet për një shtyrje të daljes së Britanisë së Madhe deri në korrik. “The Guardian” shkruan se “Brexit”-i i planifikuar më 29 mars nuk duket realist në Bruksel, për shkak të rezervave të mëdha në Parlament.
Pritet që javët e ardhshme të vijë një kërkesë nga Londra, për një shtyrje teknike të procesit të daljes nga BE-ja.