Avionët luftarakë kanë goditur pozicionet e milicive të mbështetura nga Irani, pranë kufirit të Sirisë me Irakun, thanë aktivistët.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut – grup monitorues me seli në Londër – tha se së paku 18 luftëtarë iranianë dhe pro-iranianë janë vrarë.
Mbetet e paqartë se kush i kreu sulmet në dhe përreth qytetit Albu Kamal.
Por, Izraeli ka kryer qindra sulme të ngjashme mbi caqe të lidhura me Iranin në Siri, gjatë luftës civile të këtij vendi.
Ai thotë se përpiqet t’i shkatërrojë “fortifikimet ushtarake” të Iranit në Siri dhe dërgesat e armëve iraniane të grupet militante, siç është Hezbollahu në Liban.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut citoi burimet e tij të kenë thënë se avionët e paidentifikuar ushtarakë kanë bombarduar baza, depo armësh dhe automjete që u përkisnin milicive të lidhura me Iranin.
Një burim nga një forcë paraushtarake irakiane, e mbështetur nga Irani, i tha BBC-së se një dron ka rënë në selinë e tij në kufirin Irak-Siri, rreth 6 kilometra në jug të Albu Kamalit.
Lufta civile në Siri ka nisur në vitin 2011, fillimisht si kryengritje kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Mbi 400,000 njerëz janë vrarë në luftimet që më pas kanë përfshirë forca të ndryshme nga brenda dhe jashtë Sirisë.