Lufta tregtare me Kinën, ShBA i jep një tjetër goditje!

Prishtinë | 11 Kor 2018 | 09:23 | Nga

ShBA ka intensifikuar luftën e saj tregtare me Kinën, duke hartuar një listë produktesh me vlerë 200 miliardë dollarë, që planifikon t’u vendosë tarifa që nga shtatori.

Lëvizja vjen vetëm pak ditë pasi dy vendet vendosën tarifa të ndërsjellta mbi mallra me vlerë 34 miliardë dollarë. Presidenti Donald Trump, kish kërcënuar që më herët se do të vendoste tarifa shtesë ndaj Kinës, nëse ajo do të hakmerrej.

Në listë, përfshihen më shumë se 6 mijë produkte, mes të cilave ushqime, minerale dhe mallra konsumi. Publiku do të ketë kohë deri në fund të gushtit të japë opinionet për listën, para se tarifat e reja në masën 10 për qind, të hyjnë në fuqi. Shtëpia e Bardhë thotë se tarifat janë një reagim ndaj praktikave të pandershme të Kinës.

ShBA kërkon që Kina t’u japë fund këtyre praktikave, që inkurajojnë transferimin e pronës intelektuale, dizajnit dhe ideve për produkte të reja, tek kompanitë kineze, si edhe të kërkesave që kompanitë e huaja të ndajnë pronësinë me partnerë lokalë për të patur akses në tregun kinez.

Në fakt, janë të shumta kompanitë amerikane që i kanë kundërshtuar tarifat mbi kinën, duke thënë se ato rrezikojnë të dëmtojnë bizneset dhe ekonominë, pa arritur asnjë nga efektet e pritshme nga administrata Trump.

Bursat aziatike shënuan një rënie të ndjeshme në hapjen e tyre në mesin e tensioneve tregtare në përshkallëzim e sipër mes dy gjigantëve të ekonomisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme