Luftë kundër proteksionizmit, kompromisi i dëshiruar brenda G20-ës

Prishtinë | 08 Kor 2017 | 12:44 | Nga

Arritja e një kompromisi të tillë konsiderohej shumë e vështirë për shkak të qëndrimit refuzues të presidentit amerikan, Donald Trump. Megjithatë nga qarqet e BE-së bëhet e ditur se të shtunën (08.07) krerët e qeverive dhe vendeve të G20-s në Hamburg kanë gjetur një kompromis mbi grindjen për tregtinë e lirë.

Sipas informacioneve të agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, shtetet lidere të industrializuara dhe vendet në ekspansion kanë pranuar që në deklaratën përfundmitare të theksohet tregtia e lirë dhe “lufta kundër proteksionizmit, por megjithatë me kusht që aty të futet edhe pasazhi se njihet „roli legjitim i instrumentave mbrojtës në tregti”.

Grindje për klimën

Me këtë kompromis u arrit që të mënjanohej skandali i mosdakordësisë brenda samitit. Deklarata përfundimtare e samitit publikohet të shtunën pasdite. Ndërsa në çështjen e mbrojtjes së klimës nuk dihet ende, nëse do të arrihet ujdia, shkruan DW. Një pasazh shkakton ende debat. ShBA këmbëngul që të futet në deklaratën përfundimtare pasazhi i mbështetjes amerikane për vende të tjera për përdorim të pastër të energjive fosile. Mbrojtësit e klimës nuk e pranojnë këtë, sepse duhet mbyllja e epokës së energjive fosile, që të arrihen objektivat e Marrëveshjes së Klimës.

Në dokumentin përfundimtar, për të cilin ranë dakord në orët e natës negociatorët, shtetet e G20-s shprehen „për një kuadër shkëmbimi në favor të dyanshëm të tregtisë dhe investimeve.” Po ashtu shtetet e G20-s duan të vazhdojnë luftën kundër proteksionizmit, përfshirë edhe praktikat tregtare të palejueshme”. Politika izolacioniste e presidentit Trump me moton „America First”, ishte një pohim i qartë i proteksionizmit. Për këtë arsye konsiderohej shumë e pasigurtë se ShBA do të pranonte qëndrimin kundër proteksionizmit. Sfondi i kësaj është frika e shteteve të G20-s, se ShBA megjithë deklaratat verbale do mund të vendosë dogana penalizuese për importimin e çelikut, për shkak të çmimeve dumping.

Marrëveshje bilaterale ShBA – Britani e Madhe

Presidenti amerikan, Donald Trump ndërkohë bëri të ditur se ShBA dhe Britania e Madhe do të negociojnë sa më shpejt për një marrëveshje bilateral etregtare. Të dy vendet do të negociojnë një “deal-marrëveshje të shpejtë dhe shumë të fuqishme” u shpreh Trump, i cili u takua me kryeministren britanike në kuadër të samitit të G20s të shtunën në mëngjes. Britania e Madhe pas votës së Brexitit dhe daljen nga tregu i brendshëm europian është mjaft e interesuar për një marrëveshje tregtare me ShBA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme