Kryetari i Shoqatës së Veteranëve Vullnetarë të luftës në Kroaci dhe Kosovë, Tom Kaçinari, ka deklaruar se i kanë shkruar letër kryeministrit, kryetarit, kryeparlamentarit dhe shoqatave të luftëtarëve të luftës së Kroacisë në mënyrë që secili të ndërhyjë sa mundet për t’i ndihmuar pak edhe ish krerëve tw UÇK-së që ndodhen duke u gjykuar në Hagë, duke thëne se edhe ata në Kroaci kanë pasur këto përvoja para 20 e ca vjetëve dhe se e kanë parashikuar që kjo do të ndodhte edhe në Kosovë.
“Këtu në Kroaci janë munduar të na thonë se të gjithë ne jemi fajtorë. Por gjeneralët tanë u liruan nga Haga dhe nuk u përfshinë në akuzë se kanë qenë në luftë me krime ndaj serbëve, por ka pasur dënime e aktakuza që janë akuzuar personalisht për disa krime me emër e mbiemër, dhe ata e kanë mbajtur burgun dhe ende disa gjinden nëpër burgje nëpër Evropë që janë dënuar në Hagë”.
“Besoj se lufta e UÇK-së për pavarësinë e Kosovës ka me dalë e pastër se s’mund të dalë ndryshe, por nëse në luftë ka bërë dikush personalisht ndonjë krim, sidomos ndaj shqiptarëve, ai duhet të dënohet domosdo”.
“Ne e dimë kush është Jaklup Krasniqi e Hashim Thaçi, ata armë në dorë në luftë nuk kanë pasur. Për Rexhep Selimin e Kadri Veselin s’mund të them që nuk kanë pasur, por ata mund të kenë bërë krim në luftë aq sa kam bërë unë”.
“Në Hagë ka mundësi të hyjë dikush si mik i gjykatës për të thënë se ‘po, ne garantojmë për këta persona se mund të mbrohen në liri dhe se janë të gatshëm që kur t’i ftoni të vijnë në Hagë për të dhënë përgjigje’”.
“Kryeministri e ka forcën me të madhe se kryetari i shtetit, dhe besoj që Kroacia do të hyjë si mik gjyqi për të dhënë garancinë dhe të jenë gjatë gjithë kohës në dispozicion të Gjykatës së Hagës”.
“Nuk e di se çfarë ka folur kryetari ynë sot, dhe ai është një person që ka qejf ndonjëherë t’i lëshojë disa fjalë e provokon bullica në rrugë”.
Kaçinari në fund u shpreh se nëse gjykata e Hagës e kërkon Kroacinë, ai beson se ky shtet mundet ta sjellë vendimin për t’i dalë në ndihmë shqiptarëve që aktualisht janë në Hagë.