Kosovari Fitim Lladrovci ka dhënë një rrëfim të jashtëzakonshëm për revistën “1843”, që publikohet nga “The Economist”, rreth rrugëtimit në Siri. Thotë se po të mundte do të shkonte nesër sërish për të luftuar atje. Ndërsa rrëfen si u radikalizua, kush e çoi në Siri, si u kthye dhe pse do të zgjidhte që prapë të ishte një xhihadist.
Rrugëtimi që e shtyu Fitim Lladrovci të bëhet pjesë e luftës nisi në tetor të 2013-ës, kur ai ishte 23 vjeç. Ai i mori kursimet e tij prej 350 dollarësh, u përshëndet me gruan e tij dhe la Obiliqin, shkruan “1843”.
Revista, që e intervistoi Lladrovcin, e përshkruan udhëtimin e tij për në Siri. Në Prishtinë ai u nis me fluturimin për në Stamboll dhe nga aty u nis në një tjetër fluturim, për në Hatay, provincë në juglindje të Turqisë. Në aeroplan ka takuar një arab të veshur me të zeza, i cili e ka vozitur deri në një shtëpi njëkatësh e me shtretër një mbi një. Aty ai u befasua kur takoi gjashtë shqiptarë të tjerë.