Partia-shtet e Vuçiqit viteve të fundit :
– Bllokoi dialogun me të zgjedhurit e Luginës
– Bllokoi zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese për integrimin e shqiptarëve të Luginës dhe zhvillimin socio-ekonomik të rajonit
– Marginalizoi organin qeveritar për Luginën e Preshevës (Trupin Koordinues)
– Përjashtoi shqiptarët nga pushteti në Medvegjë
Serbia nuk ka zbatuar qëllimet thelbësore të marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë.
Krahas obligimeve kushtetuese dhe ligjore, si dhe obligimeve të cilat imponohen nga marrëveshjet tanimë të njohura ndërkombëtare; Serbia ka marrë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës edhe obligime të posaçme me tri dokumente të veçanta, të cilat janë miratuar nga ana e organeve ekzekutive dhe legjislative republikane.
I. – “Plani dhe programi për zgjidhjen e krizës në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”. I miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë në shkurt të vitit 2001, njohur me emërtimin e tij të popullarizuar: “Plani i Çoviqit”.
Ky Plan dhe Program buron si produkt i “Deklaratës për çmilitarizim” të firmosur nga Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) dhe NATO, të njohur si “Marrëveshja e Konçulit”.
II. – “Marrëveshja mbi parimet e riorganizimit të Trupit Bashkërendues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, nënshkruar më 2009 nga kryetari i Trupit Bashkërendues dhe Minsitri Millan Markoviq, deputeti Riza Halimi dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, Hans Ola Urstad.
III. – “Plani Shtatëpikësh” miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë më 4 qershor 2013. Ky Plan miratohet nga Qeveria e Serbisë pas heqjes së lapidarit kushtuar ish-luftëtarëve të UÇPMB-ës para objektit të komunës së Preshevës.
Janë këto 3 marrëveshje që janë miratuar nga vet organet e Republikës së Serbisë, që po shkelen nga Qeveria e Ana Bërnabiq dhe shefi i saj, Presidenti Aleksandër Vuçiq.
Serbia është ajo që po i shkel marrëveshjet, të firmosura nga ana e saj, si ato edhe për Luginën e Preshevës.
Përfaqësimi/integrimi në institucionet shtetërore nënkupton ndërmarrjen e masave urgjente me të cilat do të sigurohej “pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore” në pajtim me “strukturën proporcionale të popullsisë së këtyre komunave”.
Megjithatë, nuk ka asnjë dyshim se jetësimi i këtij qëllimi në Luginën e Preshevës që në thelbin e tij “është më qenësori i procesit paqësor” është edhe më i dështuari.
As Programi nga viti 2001, as Marrëveshja për Riorganizimin e Trupit Bashkërendues i vitit 2009, e as “Plani Shtatëpikësh” nuk dhanë as rezultatet minimale në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës.
Natyrisht. Ky është pushteti i tyre autoritar. Kjo është politika e tyre hegjemoniste.
Kundër integrimit të serbëve në Kosovë.
Kundër integrimit të shqiptarëve në Serbi.
Kundër bashkejetesës së serbëve me shqiptarët në Republikën e Kosovës.
Për një Serbi, një Luginë të Preshevës, pa shqiptarë.
Një politikë kundër paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Midis shqiptarëve dhe serbëve.
Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës në të gjitha skenarët e mundshëm.
Kërkojmë reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës.