Ka më shumë se një vit prejse presidenti Hashim Thaçi ka shpërfaqur idenë e tij në publik për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ndonëse ende mbeten pikëpyetjet se si mund të realizohet një ide e tillë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
I pari i shtetit të Kosovës insiston që Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitet Kosovës në kuadër të korrigjimit të kufijve, pa e cenuar asnjë pëllëmbë të territorit të vendit, përderisa kryeministri Ramush Haradinaj dhe drejtuesit e partive opozitare insistojnë se ky është një plan për ndarjen e Kosovës, duke ia dhënë katër komunat veriore shtetit fqinj, i cili siç thonë ata është plan i Serbisë dhe i Rusisë.
Në Luginë të Preshevës vazhdojnë të besojnë se një ditë do të bashkohen me Kosovën, ashtu siç janë deklaruar në Referendumin e vitit 1992, por sipas tyre për shkak të mungesës së konsensusit politik në vend nuk dëshirojnë të shërbejnë si “mollë sherri” mes drejtuesve të institucioneve dhe partive politike, duke e rrezikuar kështu edhe të ardhmen e Kosovës.