Lukashenko: S’kam pse kërkoj falje, këtu s’është më keq se në ShBA

Prishtinë | 02 Tet 2021 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, i quajtur ndryshe edhe “diktatori i fundit i Evropës”, Aleksander Lukashenko, ka dhënë një intervistë të rrallë për televizionin e njohur amerikan, CNN. Ai e mbrojti veten dhe i mohoi akuzat për çështje të ndryshme.

Ai u pyet rreth abuzimit të të drejtave të njeriut, përfshirë sulmet ndaj protestuesve, për një kërcënim me bombë që u përdor si arsyetim për devijimin e një fluturimi e arrestimin e një disidenti dhe për shfrytëzimin e imigrantëve kundër BE-së, transmeton Gazeta Express.

“A po më merrni për të çmendur”, tha ai, kur u pyet nëse vendi i tij po dërgom imigrant në skajin e Bashkimit Evropian si hakmarrje për sanksionet e BE-së dhe strehimin e disidentëve bjellorusë në këtë bllok. “Kjo është çmenduri”, tha ai për pretendimet e qeverisë polake.

I pyetur nëse kërcënimi me bombë në fluturimin e devijuar ishte i vërtetë apo vetëm i shpikur për ta përdorur si arsyetim për arrestimin e një kritiku, Lukashenko këmbënguli se vendi i tij vetëm i ka ndjekur ligjet ndërkombëtare.

“Nëse keni frikë të fluturoni mbi vendin tonë, mund t’jua garantoj personalisht sigurinë tuaj dhe të kompanisë suaj, të vendit tuaj ose të cilitdo vend tjetër, kur fluturon mbi Bjellorusi, si gjithmonë më parë”, tha Lukashenko për televizionin CNN.

Sa i përket trajtimit të dhunshëm, madje vdekjeprurës, të kundërshtarëve të tij, Lukashenko tha se nuk ka arsye për të kërkuar falje. “Nuk mendoj as që është pyetje relevante dhe, në parim, nuk kam asgjë për të kërkuar falje”, tha ai.

CNN përmendi dëshmi nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International” se disa të ndaluar kanë raportuar lëndime përfshirë eshtra të thyer dhe djegie si dhe disa të tjerë kanë thënë se janë detyruar të shtrihen në tokë të zhveshur përderisa janë sulmuar.

Lukashenko u përgjigj: “E dini, ne nuk kemi asnjë qendër të vetme ndalimi, siç po thoni, si Guantanamo ose ato bazat që Shtetet e Bashkuara dhe vendi juaj krijuan në Evropën Lindore. Sa u përket qendrave tona të ndalimit, ku i mbajmë ata që akuzohen ose që janën nën hetime, ato s’janë më të këqija se në Britani apo në ShBA, mund t’ju garantoj për këtë.”

Të ngjashme