Lul Raka tregon rolin e Bordit Këshillëdhënës: Punojmë pa pagesë, s’kemi kompetenca ekzekutive

Prishtinë | 21 Kor 2020 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Mikrobiologu Lul Raka është emëruar kryesues i Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër Covid-19 nga ministri Armend Zemaj.

Ai tha se lajmin se ai është në krye të këtij bordi e mori nga mediat, por thotë se e përkrah një formimin e tij duke thënë se funksion ka vetëm dhënien e këshillave dhe se nuk ka asnjë rol ekzekutiv, njofton Klan Kosova.

“Vetë termi tregon se ky bord se do të jep këshilla në dëshmi të bazuara shkencore për probleme të përditshme. Është një trup prej 13 anëtarëve dhe në kuadër të aktivitetit të bordit do të ketë konsulta me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Vetëm brenda ditës kemi marrë disa këshilla nga ekspertë vendorë. Kyçja apo përfshirja e ekspertëve të jashtëm për konsulta të ndryshme do të jetë prej pikave më të rëndësishme”.

Raka në Info Magazine tha se kjo është punë vullnetare dhe se s’ka kompensim për punën e këshillit.

“Kemi kërkuar dhe kontaktuar me disa ambasada në Kosovë që të kemi njëfarë këshillimi dhe lidhje me disa ekspertë europianë. Para dy tre muajve kemi filluar një bashkëpunim me dy ekspertë amerikanë nga Fakulteti i Bostonit dhe kemi pasë takim online për sfidat e koronavirusit në Kosovë”.

“Iniciativa ka rrjedhur prej Ministrisë së Shëndetësisë që prapa çdo vendimi të ketë vendime që do të bazohen në dëshmi shkencore aty ku ka sepse e gjithë bota i merr vendimet në këtë formë. E kam përkrahur këtë ide dhe e kam pa të arsyeshme një trupë këshillëdhënëse që s’ka kompetenca ekzekutive”.

Por si do të funksionojë konkretisht trupa këshillëdhënëse?

“I kemi pa disa modele se si funksionojnë. Ministri apo autoritetet parashtrojnë pyetje për probleme aktuale se si do të jetë, për shembull, aktiviteti për çerdhe, sfidat që po vërehen në terren çka duhet përmirësuar në situatën aktuale”.

“Është paraparë që të ketë takime të rregullta, një herë në javë apo dy, por bordi mund të mblidhet edhe më shpesh sipas nevojës për të treguar se çfarë aktivitete duhet të ndërmerren të japim referenca shkencore”.

Raka tha se është mirë që të gjithë anëtarët e kësaj trupe të marrin pjesë dhe t’i përgjigjen ftesës sepse, sipas tij, është me rëndësi për qytetarët.

“Nuk i kam takuar të gjithë. Nesër është takimi i parë dhe besoj që të gjithë do t’i përgjigjemi kësaj ftese. Edhe mandatin e kaluar e kemi këshilluar edhe ministrin dhe duhet ndihmuar çdo qeverie për t’i ndihmuar popullit, pavarësisht kush është në pushtet”.

Të ngjashme