Dy-tre muaj para zbulimit të identitetit të vërtetë se kush qëndron prapa profilit të rrejshëm “Lule Gjeli” që sulmon kundërshtarët politikë dhe gazetarët kritikë të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ish-bashkëpunëtorja e afërt e Kurtit, Vjosa Osmani kishte zbuluar adresën dhe origjinën se ku duhet kërkuar përgjegjësia urdhërdhënëse për linçimet dhe helmin e ushqyer ndaj kundërshtarëve politikë.
Sipas saj, kjo adresë “është Albin Kurti”.
Këtë pretendim, Osmani e kishte bërë në një intervistë në “Rubikon” te Adriatik Kelmendi më 14 maj 2026.
Osmani, e cila është sulmuar rëndë nga faqe e profile mbështetëse të Vetëvendosjes, deri edhe në sulme poshtëruese seksuale.
Ajo kishte thënë se urdhërdhënia ngritet deri në nivelin më të lartë: te Albin Kurti.
Dhe këtë ajo kishte thënë ta dijë “nga pesë vite” përvojë në bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe se as që duhet lodhur të kërkohet përgjegjësia diku tjetër. Linçimet dhe sulmet janë veçse fjalë të Albin Kurtit, thoshte ajo, “që të tjerët i zbatojnë nga fjalët e tij.”
Ajo e cilësonte fushatën si të paprecedentë në historinë e Kosovës, duke përshkruar video të fabrikuara me inteligjencë artificiale, takime të rreme të montuara dhe sulme me karakter poshtërues seksual: të gjitha, sipas saj, të koordinuara nga lart.
“Absolutisht, asgjë nuk ndodh pa urdhërin e tij. Asnjë nga sulmet, ofendimet, propaganda, linçimet, manipulimet, që janë bërë nga data 6 mars deri më sot kundër meje, nuk do të bëheshin pa dijeninë dhe pa urdhërinë e zotit Kurtit. Janë fjalët e tij, janë urdhërat e tij, që po zbatohen nga njerëz të tjerë. Unë as nuk lodhem t’i fajësoj njerëzit e tjerë. Urdhërdhënësi ka emër dhe mbiemër,” kishte thënë Osmani, duke theksuar se e thotë këtë “me përgjegjësinë më të lartë.”