Lulzim Berisha ka konfirmuar për Gazetën Express se do të vazhdojë të jetë kryetar i grupit zyrtar të tifozëve të Kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, pas një shkrimi në rrjetet sociale ku kishte lënë të kuptohej se po e largohej.
Berisha shkaktoi huti të hënën në mbrëmje kur shkroi në llogarinë e vet në Facebook se “Do të më kërkoni, por do të jetë vonë”. Ky shkrim i tij u kuptua në publik si një largim i tij nga kreu i tifozëve zyrtarë të ekipit kombëtar.
Por Berisha – kryetari i parë dhe i vetëm deri tani i “Dardanëve” – i tha Gazetës Express të martën se shkrimi i tij në Facebook ka të bëjë me çështje personale dhe assesi me largimin e tij nga posti i kryetarit të “Dardanëve”.
“Jo, s’jam larguar nga posti, kjo ka të bëjë me çështje personale e jo diçka me postin (tim). Është çështje personale”, tha Berisha.