Lume Berisha nga Kamenica, humbi shikimin kur ishte vetëm tre vjeç e gjysmë. Që nga ajo kohë, Lumës i qëndron afër nëna e saj, e cila e përcjell në çdo hap.
Nga viti 2013, ajo punon si gazetare në programin e dytë të Radio Kosovës. Ajo ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë, për sfidat dhe vështirësitë që i ka pasur dhe që vazhdon t’i ketë.
“Është e vështirë. Të them është e vështirë se unë kur bisedoj me kolegë që jetojnë në botën perëndimore, unë tek ata njerëz e vërej dhe e shoh një pavarësi të plotë në rrethin ku ata jetojnë. Këtu në vendin tonë, vërtetë është shumë e vështirë të funksionosh për arsye se e para e punës në disa vende ke semaforët akustik, në disa vende nuk ka fare semafor akustik. Por, problemi qëndron edhe aty se ku ka semafor akustik, më besoni ka raste kur veturat, drejtuesit e veturave, nuk i respektojnë shenjat”, thotë Lume Berisha.
Gjatë tri vjetëve sa ishte studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ajo u përball me shumë sfida. Kurse problemi më i madh për të ishte mungesa e literaturës në alfabetin Braille, i cili përdoret për persona të verbër.
Të njëjtat vështirësi e kanë përcjellë edhe gjatë studimeve master.
“Gjatë atyre tre viteve sa kanë zgjatur studimet nga viti 2013, vetëm për vitin e parë më janë siguruar librat për tri lëndë. Është fjala për Zhanret e Gazetarisë I-II, Hyrje në Gazetari I-II edhe Bazat e Komunikologjisë, ka qenë lëndë një semestrale. Të njëjtat vështirësi i kam pasur edhe në Universitetin AAB, me të njëjtat vështirësi jam ballafaquar, me mungesë literature. Të gjitha më është dashur t’i përshtat vetë në alfabetin Braille”, thotë Berisha.
Lumja është autore e emisionit “Për një botë më të mirë”, që trajton pikërisht problemet e personave me nevoja të veçanta.
“Ka vështirësi, mirëpo falë respektit, falë ndihmës së kolegëve që ma bëjnë këtu, atëherë vështirësitë vetëm tejkalohen. E vetmja vështirësi e cila është ndoshta t’i bind mysafirët me qenë prezent ose për të diskutuar për një temë të caktuar. Përndryshe, sa i përket realizimit të punës, jo nuk e kam të vështirë. Normal edhe duhet pastaj edhe këtu të kemi ndoshta kompjuterin e përshtatshëm me zë. Duhet të krijohen edhe kushte për këtë kategori të personave me aftësi të kufizuara”, thotë gazetarja Lume Berisha.
Përkundër vështirësive, Lume Berisha, vazhdon të realizojë emisionin e saj të përjavshëm i cili ndiqet me interesim nga shumë dëgjues në Kosovë.