Sipas kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, janë 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit dhe marrin benefite nga shteti.
Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Lumezi tha se prokurori që ka dhënë dorëheqje, Elez Blakaj, ka bërë një “draft-akuzë” ndaj disa personave për këtë rast dhe që i është dorëzuar prokurorit të Prokurorisë Speciale për sugjerime të tjera. I pyetur nëse Prokuroria ka frikë nga politika, ai ka thënë se “politikanët duhet të kenë frikë nga prokurorët, jo e kundërta”.
Lumezi tha se Prokuroria e Kosovës tashmë ka lëshuar 63 urdhër-arreste për krime të luftës, me të cilën janë marrë vetëm dy prokurorë duke përfshirë tashmë edhe prokurorin e dorëhequr Blakaj.
Lumezi tha se nuk e di se kur do të lëshohen aktakuzat e para nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë dhe sipas tij kjo Prokurori ende është duke bërë hetimet.