Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se 400 kilogramët e kokainës së sekuestruar në Lipjan muajin e kaluar janë duke u ruajtur në Policinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Pasi që rasti është nën hetime, ai tha se nuk mund të jap detaje, por që është e rëndësishme që Kosova është pjesë e aktiviteteve të përbashkëtat me shtetet e tjera në luftimin e krimit të organizuar.
“Rasti i kokainës është në hetime dhe nuk mund të jap detaje, por kjo tregon që ka bashkërendim në luftimin e krimit të organizuar dhe se ekskluzivisht shteti i Kosovës është duke u marrë me këtë çështje”, tha Lumezi.
“Kokaina qëndron në lokalet e Policisë së Kosovës dhe është e sigurt”, theksoi tutje ai.
Përderisa 30 ditë masë paraburgimi, u ka caktuar Gjykata Themelore e Prishtinës, shtatë të dyshuarve me rastin e sasisë prej 400 kilogramë të drogës.
Droga u sekuestruara me 17 maj në komunën e Lipjanit, ku edhe kishte mbërritur prej gati 2 javësh.
Ajo vinte nga Brazili dhe ishte futur në 20 arka që supozohet të ishin mbushur me mish pule. 400 kg kokainë u ndoqën nga DEA dhe u lanë të kalonin me urdhrin e tyre, por askush nuk u paraqit të tërhiqte kokainën.