Ndonëse nuk mori edhe një mandat si kryeprokuror i Ferizajt, Agron Qalaj, tash do të jetë në Zyrën e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit. Kjo u mbështetje u dha nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të cilët e votuan transferimin e Qalajt në Zyrën e kryeprokurorit të Shtetit. Kjo njëherësh ishte edhe kërkesë e vet Aleksandër Lumezit.
Mandati i Qalajt u dha për periudhën 6 mujore që të jetë pjesë e Zyrës së Lumezit, raporton Ekonomia Online.
Në dhjetor të vitit të kaluar Qelaj ishte rikandiduar për kryeprokuror, por nuk mori votat e mjaftueshme të anëtarëve të këshillit prokurorial që të fitojë përsëri postin e kryeprokurorit në Ferizaj.
Në mbledhjen e 130 të Këshillit Prokurorial të Kosovës, u raportua edhe për numrin e madh të kallëzimeve penale në Prokurori gjatë 2016, të cilat sipas drejtorit të i përgjithshëm të sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, vetëm nga Policia janë mbi 1 000 kallëzime penale, pasuar edhe nga Dogana, AKK-ja etj.
Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2016, 55 % e lëndëve kanë përfunduar në aktakuza, 26 % në hedhje, dhe 17 në pushim të hetimeve.
Po ashtu, sipas këtij raporti, 65% e aktakuzave kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese, 15% liruese, 11% refuzim i aktakuzës dhe 7% në hedhje.
Numri më i madh i kallëzimeve penale në Prokurori, sipas raportit vjetor bëhen për rastet e drogave.
Mbi 828 kallëzime për droga, 467 kallëzime për krimet ekomomike, si dhe 447 korrupsioni.
Ky raport pas analizimit, u votua unanimisht nga anëtarët e KPK-së.
Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje tre prokurorët, Sylë Hoxha, Fikrije Fejzullaju-Krasniqi dhe Florie Shamolli, u votuan unanimisht nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës për avancim nga Prokuroritë Themelore në Prokurorinë Speciale. Te tre këta prokurorë do të nisin punën si prokuror special me 1 prill të këtij viti.
Ndërsa, prokurorët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Valdet Gashi, Armend Hamiti dhe Shemsije Asllani, nga Departamenti i Përgjithshëm të transferohen në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie.