Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është mbajtur “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”, raporton Ekonomia Online.
Lumezi me këtë rast tha se Kosova është prijëse në rajon sa i përket legjislacionit për mbrojtjen e viktimave, duke shtuar se në vazhdimësi po marrin hapat konkret në këtë drejtim.
“Jam i lumtur të shoh përparimin e dukshëm në çështjen e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës ndaj tyre”.
“Republika e Kosovës është prijëse në rajon ndaj politikave dhe legjislacionit për mbrojtjen e viktimave. Andaj ngadalë dhe sigurt po i marrim hapat e duhur për t’u mbrojtur nga dhuna”.
Tutje Lumezi tha se nuk duhet të ketë neglizhencë ndaj garantimit të të drejtave të viktimave dhe se krimet nuk duhet të anashkalohen.
“Nuk duhet të ketë asnjëherë neglizhencë ndaj garantimit të të drejtave ndaj viktimave, dhe ne nuk duhet të lejojmë që krimet të anashkalohen, por përkundrazi të gjithë duhet të jetojnë të lirë”.
“Gjatë këtyre nëntë muajve punë kemi pasur 1 584 raste të dhunës, ku 1 396 ishin dhunë në familje, ndërsa 445 kërkesa për urdhër mbrojtje. Madhështia e një populli gjykohet me atë se si i trajton qytetarët e vet andaj ne duhet të angazhohemi sa më shumë në mbrojtjen e viktimave”.
Kryeprokurori tha se po punojnë në rritjen e besimit të qytetarëve, por edhe të ndërkombëtarëve, sepse kështu rritet integriteti dhe profesionaliteti, raporton EO.
“Ne si institucion jemi duke punuar shumë si në rritjen e besimit të qytetarëve, por edhe të ndërkombëtarëve, sepse kështu rritet integriteti dhe profesionaliteti. Ju siguroj që si Kryeprokuror i Shtetit do të jap mbështetje të kësaj rruge dhe forcimin e procesit ligjor”.
Ndërkaq, nga nesër, do të mbahen sesionet e Javës, të cilat do të zhvillohen online nëpërmjet platformës Zoom, ku do të diskutohen tema të ndryshme, si: Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër dhunës në familje; Konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së viktimave të krimit; Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër trafikimit të njerëzve dhe Trajtimi i kryesve të dhunshëm me varësi nga droga, alkooli dhe me probleme të shëndetit mendor.
Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi:
Shkëlqesia Juaj, znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës,
Të nderuar kryeprokurorë, prokurorë, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë, policë, mbrojtës të viktimave të krimit,
E nderuara Ministre e Drejtësisë, Znj. Albulena Haxhiu
I nderuar Kryetar i Gjykatës Supreme, z. Enver Peci
Të nderuar drejtues të institucioneve vendore,
I nderuari Shef i Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark,
Shkëlqesi ambasadorë dhe ju përfaqësues të misioneve ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile,
Është kënaqësi e veçantë që sot jemi së bashku në hapjen e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit. Pjesëmarrja e drejtueseve të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë në këtë ngjarje të rëndësishme është mesazhi më i mirë se të gjithë së bashku jemi në mbrojtje të viktimave të krimit.
Me lejoni që sërish të shpreh angazhimin tim të plotë në misionin e vazhdueshëm për forcimin e shtetit ligjor dhe t’ju inkurajojë të gjithë juve që të punoni me përkushtim dhe profesionalizëm për t’i mbrojtur të drejtat e viktimave të cilat janë të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbrohen nga shteti.
Gjatë këtyre viteve është mbështetur dhe fuqizuar Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, është caktuar Koordinatorja nacionale për rastet e dhunës në familje dhe koordinatorët nëpër prokuroritë përkatëse, janë caktuar prokurorët përgjegjës si pikë kontakti për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe prokurorët në të gjitha nivelet e prokurorive.
Këto janë disa nga veprimet e ndërmarra që dëshmojnë përkushtimin institucional që rastet e dhunës në familje, rastet kundër integritetit seksual si dhe luftimi i trafikimit me qenie njerëzore janë ndër prioritetet kryesore të punës së përditshme në kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.
Jam i lumtur të shoh përparimin e dukshëm të kësaj strukture institucionale, e cila tashmë është e konsoliduar dhe mirë-funksionon në mbrojtje, kujdes dhe dhënie të shërbimeve profesionale për të gjitha viktimat që kanë pësuar nga aktet e ndryshme kriminale.
Përfaqësuesit nga sistemi prokurorial kanë dhënë kontribut edhe në hartimin e një mori ligjesh përkatëse për mbrojtjen e viktimave dhe janë angazhuar maksimalisht në të gjitha grupet punuese për t’ju dhënë viktimave të krimit vend meritor në sistemin e drejtësisë.
Dua të theksoj se Republika e Kosovës tashmë është prijëse në rajon sa i përket legjislacionit dhe trajtimit të viktimave të krimit sipas praktikave dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare.
Prandaj, me plotë të drejtë mund të themi se viktimat e krimit ngadalë por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre dhe po e marrin trajtimin e duhur nga institucionet vendore.
Të nderuar të pranishëm,
Sado që përpjekjet tona janë të vazhdueshme, megjithatë, jemi të vetëdijshëm se ende duhet punë dhe përkushtim nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar abuzimet, dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet e viktimave.
Sot, ju duhet të jeni të vëmendshëm për të gjitha ato indicje që paralajmërojnë dhunë ndaj viktimave dhe që bëhen shqetësuese për opinionin publik. Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetues dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë.
Prandaj, përkushtimi ynë duhet të jetë në koordinim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë ndërmjet institucioneve ligj-zbatuese që në asnjë moment të mos ketë neglizhim në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të garantuara me Kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare.
Jam i bindur se angazhimi i Prokurorit të Shtetit, mbrojtësve të viktimave dhe të gjithë mekanizmave të tjerë relevantë nuk do të mungojë që rastet e viktimave të krimit të trajtohen drejt dhe në kohë gjatë tërë fazave të procedurës, që kryerësit e këtyre veprave të marrin dënime meritore, sepse viktimat dhe të mbijetuarit e krimit mbajnë sytë gjithmonë kah drejtësia, e cila siguron qytetarët për të jetuar të lirë dhe të papenguar nga askush.
Rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19 kishin ndikim kufizues dhe negativ në normalitetin tonë të përditshëm. Mirëpo, edhe përkundër vështirësive ne bëmë të pamundurën që shërbimet për viktimat të mos pushojnë për asnjë moment. Të gjithë u angazhuam që trajtimi i tyre të jetë brenda parametrave të arsyeshëm kohor me qëllim që të mundësojmë të gjithë viktimave një proces të drejtë dhe t’ju sigurojmë një jetë normale në frymën e paqes, lirisë dhe prosperitetit.
Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1584 raste të viktimave në total, prej tyre 1396 ishin dhunë në familje. Ndërsa janë paraqitur edhe 445 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 36 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente.
Në anën tjetër, shpresoj që sa më parë të ndodhë plotësim-ndryshimi dhe hyrja në fuqi e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, që do të krijonte qasje të menjëhershme në realizimin e të drejtës ligjore për kompensim për të gjitha viktimat, pa pasur nevojë të pritet deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Mbështetja, mbrojtja dhe kujdesi që jemi në gjendje t’ju japim viktimave të krimit nëpërmjet kompensimit tregon për gatishmërinë tonë institucionale dhe shoqërore që t’ju ndihmojmë atyre ta rifillojnë jetën e tyre.
Fakti që kjo javë organizohet në mbështetje të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe përkrahet nga miqtë e tjerë ndërkombëtarë, na jep të drejtë për të besuar se viktimat e krimit kanë partnerë dhe mbështetës të fuqishëm.
Prandaj, më lejoni të falënderoj Ambasadën Amerikane dhe OPDAT-in për kontributin e dhënë në avancimin e të drejtave të viktimave përgjatë këtyre viteve, duke na bërë kështu model për vendet e tjera të rajonit. Poashtu, dëshiroj të falënderoj edhe partnerët tjerë ndërkombëtar të cilët në forma dhe mënyra të ndryshme kanë ndihmuar Prokurorin e Shtetit dhe Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave.
Të nderuar prokurorë dhe ju mbrojtës të viktimave,
Nga ju pres që me profesionalizëm dhe përkushtim t’u shërbeni të gjitha viktimave sa herë që dëmtohen nga krimi dhe trokasin në dyert e prokurorisë, duke i trajtuar me kujdes, profesionalizëm dhe dinjitet.
Dua t’jua kujtoj se, përtej obligimit ligjor, mbrojtjen e viktimave duhet ta shohim edhe si angazhim fisnik të punës sonë. Garantimi i të drejtave dhe trajtimi i viktimave të krimit në harmoni me aktet vendore dhe ndërkombëtare, jo vetëm që është në funksion të parimeve të drejtësisë, por i përket edhe parimeve dhe vlerave më të larta humane bashkëkohore dhe identitetit tonë europian.
Madhështia e një populli gjykohet nga mënyra se si ai popull i trajton qytetarët e vet më të brishtë. Prandaj, të gjithë së bashku duhet të angazhohemi për realizimin e të drejtave ligjore për të gjitha viktimat që kanë pësuar nga aktet kriminale.
Jam i bindur që me angazhimin e të gjithëve është e mundur të krijojmë një sistem efektiv dhe efikas të prokurorisë në të cilin çështjet e vështira, si krimet e luftës e deri te dhuna në familje mund të ndiqen me sukses.
Në fund, dëshiroj të theksoj faktin se institucioni i Prokurorit të Shtetit përkundër vështirësive, gjithnjë e më shumë është duke treguar efikasitet të mirë, qëndrueshmëri në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional. Kjo është duke ndikuar në rritjen e besimit jo vetëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtar dhe ju duhet ta vlerësoni këtë situatë, ta rrisni kredibilitetin dhe autoritetin e institucionit që përfaqësoni dhe maksimalisht të kontribuoni në drejtim të forcimit të integritetit, profesionalizmit dhe rritjes së besimit në sistemin prokurorial.
Si Kryeprokuror i Shtetit i siguroj të gjithë qytetarët se jam në mbështetje të kësaj rruge të përbashkët për vendosjen dhe forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e krimit.
Ju faleminderit për vëmendje dhe ju dëshiroj shumë forcë dhe suksese në punën tuaj!