Lumezi: Ka nisur procedura penale ndaj Rikalos, pritet marrja në pyetje

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 12:56 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka konfirmuar se Prokuroria e Shtetit ka hapur procedurë penale ndaj ministrit të ri të Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Megjithatë, ai tha se ende nuk kanë nxjerrë ndonjë aktvendim për nisjen e hetimeve ndaj ministrit Rikalo, porse janë ende në fazën e grumbullimit të informacioneve, raporton Ekonomia Online.

Kryeprokurori Lumezi i bëri deklaratat i pyetur nga gazetarët, pas një takimi që pati me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Lumezi dhe se kanë kërkuar informata nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ashtu si edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe banorët që e kanë akuzuar.

“Prokuroria e Shtetit e ka hapur procedurën penale, pas informacioneve të marra në media, por ende nuk kemi nxjerrë ndonjë aktvendim për nisje të hetimeve”, tha Lumezi.

Sipas tij, pas ndërmarrjes së veprimeve të procedurës penale, Prokuroria e Shtetit do të vlerësojë nëse ka element për aktvendime tjera dhe vazhdim të fazave të tjera të hetimeve.

Javë më parë, banorë të një ndërtese në kompleksin “Kurrizi” në lagjen “Dardania” të Prishtinës kanë akuzuar ministrin e sapoemëruar të Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, se i ka keqtrajtuar dhe torturuar shumë qytetarë shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Tahiri-Lumezi flasin për Ligjin për Kryeprokurorin e Shtetit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se në takimin që pati me Lumezin janë dakorduar që të punojnë bashkë në zbatimin e ligjit duke u përqendruar në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Tahiri përmendi edhe ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Çështje e rëndësishme sipas tij do të jetë procedimi në qeveri i projekt-ligjit për kryeprokurorin e shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“E njoftova Lumezin për prioritetet e mia dhe projektligjet që janë duke u punuar dhe do të procedohen shumë shpejt në Kuvend të Kosovës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në fokus do të jetë edhe plotësim ndryshimi që do të bëhet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, si dhe krijimi i një platforme që do të ndërlidhet me konfiskimin e pasurisë”, ka thënë Tahiri.

Ai u tregua i bindur se këto plotësim-ndryshime do ta lehtësojnë punën e Prokurorisë dhe Policisë, që të jenë sa më efikas dhe të japin rezultate më të shpejta.

“Unë sapo kam propozuar në Qeverinë e Kosovës edhe projektligjin që ndërlidhet me Kryeprokurorin e Shtetit, dhe po punojmë ngushtë për këtë”, tha Tahiri pas takimit.

Ministri Tahiri bëri të ditur se gjatë takimit me Lumezin e ka njoftuar atë edhe me përmbajtjen e koncept dokumentit që është duke u hartuar që ndërlidhet me suspendimin e personave që janë me aktakuzë apo në hetime, për zyrtarët e lartë, si dhe projektligjin që ndërlidhet me parandalimin e konfliktit të interesit.

Për këto ndryshime ligjore, më shumë foli Aleksander Lumezi.

“Ligji për Kryeprokurorin e Shtetit, i cili do të forcojë hierarkinë brenda sistemit prokurorial, dhe vijën vertikale, dhe gjithashtu edhe për vijën tjetër që janë shumë të rëndësishme për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, tha kryeprokurori i Shtetit.

“Temë e rëndësishme e bisedës ishte edhe ligji mbi përgjegjësinë disiplinore të Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, që të kenë kompetencë edhe kryetarët e gjykatave, edhe kryetari i Gjykatës Supreme, por edhe Kryeprokurori i Shtetit dhe kryeprokurorët e prokurorive tjera”, sqaroi ai.

Ai tha se pret që të kenë më shumë punë në luftën kundër krimit e korrupsionit si dhe në rritjen e llogaridhënies brenda sistemit të drejtësisë.

Mitroviq u arrestua në bazë të dyshimit të bazuar për krime lufte

Lumezi ka folur edhe për serbin e arrestuar në Suharekë, Bogdan Mitroviq, i cili është i dyshuar për krime lufte po në rrethinën e Suharekës.

Ai ka thënë se Mitroviq është arrestuar në bazë të dyshimit të bazuar se ka kryer krime lufte dhe se Prokuroria Speciale tani ka marrë edhe informatat nga dëshmitarët në Suharekë.

Sipas tij, nëse do të ketë prova të mjaftueshme, sigurisht se do të ngritet aktakuzë ndaj tij ose në të kundërtën ai do të lirohet.

Mitroviq dyshohet për kryerje të veprave penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile në rrethinën e Suharekës në vitin 1999.

Të ngjashme