Në kuadër të vizitës në institucionet më të larta të drejtësisë në Francë, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka takuar prokurorin e Republikës së Parisit, Francois Molins, drejtorin e Çështjeve Kriminale dhe Faljes në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Rémy Heitz, dhe zëvendës-drejtoreshën për Çështje Penale në kuadër të kësaj ministrie, Caroline Nisand. Ata kanë diskutuar për strukturën organizative, kompetencat, rolin dhe funksionimin e kësaj drejtorie.
Lumezi dhe Heitz, gjatë takimit të realizuar, janë pajtuar që në të ardhmen të kenë bashkëpunim juridik, ndërkombëtar, në trajtimin e rasteve të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Prokurorit.
Gjithashtu, Kryeprokurori Lumezi është takuar edhe me Prokurorin e Republikës së Parisit, Francois Molins, ku kanë biseduar për burimet dhe financat e këtyre grupeve si dhe për trajtimin dhe ndjekjen e personave të kthyer nga vatrat e luftës, me theks të veçantë duke rrezikuar paqen dhe sigurinë në botë. “Në këtë rast, prokurori i Republikës së Parisit, Molins, i dha një mbështetje të plotë Kryeprokurorit Lumezi, në ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin dhe luftimin e veprave penale që ndërlidhen me terrorizmin”.
Po ashtu, Lumezi u takua edhe me drejtoreshën e Zyrës të Krimeve Financiare në nivel të Francës, me të cilën kanë diskutuar për sfidat, luftën kundër korrupsionit dhe krimeve financiare në përgjithësi si dhe për zbatimin e hetimeve në zbulimin e veprave penale të krimeve financiare, thuhet në njoftimin për medie.
Kryeprokurori Lumezi aktualisht po përballet në Kosovë me akuza nga mediet dhe shoqëria civile se ka manipuluar provimin e jurisprudencës.