Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, priti sot në takim pune kryeprokurorin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman.
Në këtë takim dy kryeprokurorët diskutuan për organizimin, funksionet, kompetencat dhe juridiksionin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për bashkëpunimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me Prokurorin e Shtetit, konkretisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kryeprokurori Lumezi, duke theksuar gatishmërinë e tij për të kontribuar në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë, i ofroi kryeprokurorit Schwendiman bashkëpunim të plotë nga ana e tij, duke shtuar se prokurorët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me qëllim të përmbushjes së mandatit të kësaj prokurorie do t’i ofrojnë bashkëpunim Zyrës së Prokurorit të Specializuar, sa herë që do të jetë e nevojshme për zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjen penale të personave që dyshohen për kryerjen e krimeve brenda juridiksionit lëndor të Dhomave të Specializuara, si dhe për përmbushjen e përgjegjësive të tjera, të dala nga Ligji nr. 05/L-053.