Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, priti sot në takim pune ambasadorin e Zvicrës në Prishtinë, Jean Hubert Lebet, si dhe përfaqësuesin e Korporatës Zvicerane me seli në Prishtinë, Patrick Ettienne.
Fillimisht në këtë takim kryeprokurori Lumezi e falënderoi ambasadorin Lebet për mbështetjen e vazhdueshme që shteti zviceran është duke e dhënë për avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, e në veçanti për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial, konkretisht përmes projektit zviceran, për zhvillim dhe bashkëpunim, i cili projekt implementohet në kuadër të UNDP-së e që mbështet nga Agjencioni Danez për zhvillim ndërkombëtarë.
Kryeprokurori Lumezi theksoi se përmes këtij projekti kanë përfituar edhe institucionet zbatuese të ligjit, konkretisht edhe sistemi prokurorial në fushën e ngritjes së kapaciteteve profesionale për ndjekjen, hulumtimin dhe sanksionimin e veprave që ndërlidhen me korrupsionin.
Mes tjerash, gjatë këtij takimi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka njoftuar ambasadorin Lebet se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve të luftës, si dhe bashkëpunim në mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për koordinim të veprimeve për luftimin e këtyre veprave penale.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi, kryeprokurori Lumezi dhe ambasadori Lebet kanë diskutuar edhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale në sistemin prokurorial lidhur me kryerjen e ekspertizave financiare, ndjekjen e trajnimeve në fushën ekonomiko-financiare, krimeve kibernetike dhe korrupsionit, si dhe ndjekjen e trajnimeve në fushën e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ndërkaq, ambasadori zviceran në Prishtinë, Jean Hubert Lebet i premtoi kryeprokurorit Lumezi mbështetjen e tij dhe të shtetit Zviceran në avancimin e bashkëpunimit në të gjitha çështjet që mund të bashkëpunojnë sistemet prokuroriale të vendit tonë dhe Zvicrës, përmes ambasadës zvicerane në Prishtinë.