Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka komentuar publikimin e përgjimeve të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Në një konferencë për media, Lumezi ka thënë se për ngritje të aktakuzës në rastin e publikimit të përgjimeve nevojiten prova të reja.
“Për ngritje të aktakuzës nevojiten prova të reja. Prokurori ndërkombëtar i ka pasur të gjitha këto përgjime dhe e ka parë që nuk ka pasur prova. Nuk kemi të gjitha të dhënat e duhura, andaj nuk mund të japim koment për rastin, si kryeprokuror ju garantoj që askush nuk është i paprekshëm, nëse gjejmë se ka vepër penale ne do të veprojmë dhe do t’i dërgojmë nëpër gjykata”, deklaroi ai.
“Prokurori ndërkombëtarë i ka pasur të gjitha këto përgjime, i ka shqyrtuar dhe i ka vlerësuar se nuk ka bazë për ngritje të aktakuzës. Tani neve nuk na mbetet asgjë tjetër përpos që të sigurojmë prova të reja lidhur me këto përgjime dhe ato t’i shfrytëzojmë në raport me informacionet që i ka pasur prokurori i mëhershëm, sepse përndryshe do të shkelet parimi i sigurisë së palëve në procedurë”, tha ai.
“Këto përgjime kanë qenë objekt i shqyrtimit të prokurorit të EULEX-it, i cili ka ardhur në përfundim se nuk ka bazë për të ngritur akuzë. Niveli i provave që kanë qenë objekt vlerësimi nga prokurori ndërkombëtar nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ngritur akuzë e as tani nuk mund të jenë. Për ngritjen e akuzës duhen prova të reja për prokurorin ndërkombëtar për të ngritur akuzë”, u shpreh ai.
Lumezi, tha se nëse gjejnë se ka elemente të veprës penale, atëherë Prokurori i Shtetit do të veprojë në përputhje me forcën e ligjit dhe personat përgjegjës do të nxirren para organeve kompetente.
Ai ka bërë të ditur se është takuar me presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor dhe se tema ka qenë mandati i prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it.