Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka sqaruar deklaratën e dhënë të enjten se do të kërkojë ndihmë nga SHBA-ja lidhur me rastin Dehari.
Përmes një njoftimi, zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thotë se Lumezi, decidivisht ka deklaruar se ‘nëse është e nevojshme, pas ndërmarrjes se të gjitha veprimeve të duhura nga autoritetet vendore për ndriçimin e plotë të rastit të Astrit Deharit, do të kërkohet ndihmë juridike nga Ambasada Amerikane në Kosovë.’
Sipas tyre, kjo ndihmë eventuale do të realizohet nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare
“Në këtë kontekst, kjo ndihmë eventuale do të realizohet nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare me anë të ekspertizave dhe ekzaminimeve profesionale, të cilat janë të nevojshme për zbardhjen e rrethanave të procedurës penale të këtij rasti, ashtu siç parashihet në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, të enjten cituar portalin arbresh, kreu i Prokurorisë së Shtetit ka thënë se do të kërkojnë ndihmë nga Ambasada Amerikane, për hetimin dhe zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.
“Kemi kërkuar prej Ambasadës Amerikane që të na sjellin ndonjë prokuror apo dikë që mund të na ndihmoj në hetimin e këtij rasti, në mënyrë që t’a zbardhim të vërtetën. E njëjta prokurori do ta hetojë rastin, sepse kompetenca territoriale është e Prizrenit, dhe s’mundet ndonjë prokurori tjetër. Por do ta kërkojmë edhe ndihmën ndoshta të partnerëve ndërkombëtarë me na ndihmu në hetimin e këtij rasti”, është shprehur kryeprokurori Lumezi.