Lumir ​Abdixhiku për 100 ditët e Kurtit: Qeveri praktikante dhe populliste

Prishtinë | 02 Gus 2021 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se raporti i punës për 100 ditët e Qeverisë së Kosovës është i thatë, dëshpërues, por është i vërtetë, pasi pasqyron qeverinë që ka marrë epitetin e qeveri praktikante dhe populiste.


Abdixhiku tha se kjo qeveri e sheh si fakt që Kosova po lulëzon vetëm pse ata janë tashmë në qeveri, pa bërë asgjë tjetër.

“Sot kemi para vetës një raport 100 ditësh që sikurse planin qeverisës i prezantuar po ashtu me vonesë është i thatë, është dëshpërues, por është i vërtetë. I vërtetë është, sepse e pasqyron saktë këtë qeveri që tashmë ka marrë epitetin qeveri praktikante dhe populiste. E dëgjuat kryeministrin, një ndër argumentet bazike të tij dhe të raportit 100 ditësh është ajo e performancës së përgjithshme politike, ekonomike, shoqërore, të politikës së jashtme. Kosova sipas tij po merr hov e po lulëzon gjithandej për shkak të disa faktorëve tjerë që nuk i dimë, por kryesori, thelbësori, më i rëndësishmi është vet fakti që këta janë në qeveri. Ky akt si fakt i të qenit në qeveri pa ndonjë masë, se për masa nuk po flitet, mjafton që Kosova të lulëzojë vetvetiu brenda dhe jashtë. Kështu këta e shohin vetën, një ndërrim karrige nga aty këtu dhe Kosova lulëzon, pa bërë asgjë tjetër”, tha ai.

Ai ka pasur kritika për krahasimin e ekonomisë për shtatë muajt e parë të vitit me ata të vitit të kaluar, kur vendi ishte i mbyllur për shkak të pandemisë. Sipas tij, po tentohet që pazotësia e kësaj qeverie të mbulohet me numra.

I pari i LDK-së tha se qeveria Kurti ka ndryshuar qëndrim edhe sa i përket reciprocitetit e dialogut me Serbinë.

“Për 100 ditë ndryshuat qëndrim në reciprocitet aq shumë sa që kauzën simbolike të bllokave të Serbisë e kapërcyet me lehtësi, ia hoqët tarifën ironikisht produktit të vetëm që e mbanit si simbolikë. Ndryshoni edhe në dialog, pa kushte, pa platformë, pa raportim, e injoroni këtë Kuvend e kështu edhe popullin me mos transparencë, sepse po mendoni nga aty ku jeni nuk keni me zbrite asnjëherë. Dialogun po e përdorni natyrisht për elektrizim të masave këtu, krenoheni çka i ke thënë Serbisë, e vërteta është se çka i thua Serbisë nuk është më punë e madhe këndej, këtë vend Serbisë i kanë bërë edhe rezistencë shoqërore edhe luftë të armatosur patriotët më të mëdhenj të vendit”, tha ai.

Abdixhiku ka kërkuar të dijë se çka është duke bërë qeveria që Kosovën ta nisni përfundimisht në rrugën e lëvizjes së lirë, në rrugën e NATO-s, BE-së e OKB-së.

Sa i përket punësimeve familjare, Abdixhiku tha se po tentohen të mbulohen duke iu referuar 20 viteve të kaluara.

“Kjo qeveri ka kapur me familjar bordin e Telekomit të Kosovës, bordin e Postës së Kosovës, bordin e Iber-Lepencit, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, Odën e Farmacistëve, Universitetin Isa Boletini, Universitetin Haxhi Zeka, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Kompaninë rajonale të ujësjellësit Prishtina, e plot trupa të tjerë. Tani çështja është kështu kur punëson motrën, nipin e dajën çfarë dallojnë nga kapësit e deritanishëm, cili është ndryshimi. Kur një anëtar i juaji vendoset drejtor i një ndërmarrje publike, gruan e vendos në departamentin e financave, kunatën në arkiv, e nipin në prokurim ku dalloni ju. Ka 15 vite që flisni me të drejtë që nepotizmi dhe korrupsioni janë probleme të mëdha të ndërmarrjeve publike dhe për 100 ditë i bëtë të gjitha gjërat që nuk duhet bërë. Kur jepni 28 tenderë një burimor nga 33 sosh, kur nënshkruani një kontratë korruptive, korruptive, 5 euro për veturën për ta anuluar pastaj si rezultat i presionit publik, por jo si pasojë e një ndërgjegje të brendshme, ku dalloni ju”, tha ai.

Të ngjashme