Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, eurodeputeten Ulrike Lunacek.
Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet në Kosovë, raportin e Komisionit Evropian, rrugën integruese evropiane si dhe proceset tjera.
Kryeministri Mustafa e njoftoi për implementimin e MSA-së, masat që po ndërmerren në zhvillimin e mëtejmë ekonomik, implementimin e reformave në fusha të ndryshme, strategjitë zhvillimore, qëndrueshmërinë buxhetore si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetit ligjor e luftën kundër korrupsionit.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për Agjendën e Reformave Evropiane, e cila u miratua një ditë më parë në Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri Mustafa dhe eurodeputetja Lunacek biseduan edhe për domosdoshmërinë e adresimit të çështjes së demarkacionit, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës të mos iu pamundësohet edhe më tutje lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi eurodeputeten Lunacek për përkrahjen që po i jep Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Kosovës në proceset e mëtejme eurointegruese.
Eurodeputetja Ulrike Lunacek, po ashtu, shprehu përkrahjen e saj për rrugën integruese evropiane të Kosovës.