Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci duhet të shkarkohet urgjentisht dhe më pas drejtësia të merret me të. Sipas saj, skandalin e tij po e paguan Kosova me imazhin e saj.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ajo ka thënë se sa më gjatë që Berishaj të qëndron në këtë post dëmet për Kosovën do të jenë më të mëdha.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lushaku ka vlerësuar se qëndrimin e Berishajt në postin e ambasadorit do ta paguaj Kosova me dëmtim të imazhin në arenën ndërkombëtare.
“Rasti me ambasadorin Berishaj është një rast eklatant që flet shumë jo vetëm për diplomatin, por flet shumë edhe për ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes. Flet për kauzat me të cilat ata kanë ardhur në pushtet: lufta kundër korrupsionit, zgjidhje(të problemeve) dhe mosdialogim me Serbinë. Ndërsa, tani po shohim se kemi një ambasador që për muaj të terë po qëndron në pozitën e ambasadorit, duke qenë i përfshirë në afera financiare rajonale dhe ndërkombëtare, që nuk kanë ndodh ndonjëherë në histori”, ka thënë Lushaku.
Ajo ka thënë se e përbashkët e aferës financiare të ambasadorit Berishaj është korrupsioni dhe Serbia.
“Madje, për qarkullimin e atyre parave nuk ka paguar as tatime brenda Kosovës, por edhe parat të cilat kanë rrjedhur nga Serbia. Imagjinojeni: korrupsioni, Serbia, keqpërdorime financiare, këto janë e përbashkët e rastit Berishaj”, është shprehur ajo.
Sipas zyrtares së LDK-së, Kosova nuk duhet të paguaj për skandalin e një ambasadori.
Ajo ka pyetur se çfarë ka kaq të rëndësishmen Berishaj që nuk po shkarkohet.
“Mediat sllovene po flasin për këtë skandal, po flasin për ambasadorin e Republikës së Kosovës. Kosova po bije pre e një ambasadori të cilin nuk po e shkarkon kryeministri. Këtu vijmë të një pyetje legjitime, pse nuk po e shkarkon kryeministri? Pse duhet ta mbaj një ambasador të tillë? Çfarë ka ambasadori Berishaj aq të rëndësishme sa Kosova duhet ta paguaj me imazhin e saj?”, ka pyetur Lushaku.
Me tej, ajo ka thënë se afera bëhet edhe me skandaloze kur bëhet fjalë se ato para janë përdorur për çështje elektorale në Kosovë.
“Këtu ka një ndërlidhje tjetër, sepse gazeta sllovene po i referohen se një shumë e parave që janë milionëshe kanë qarkulluar edhe për qëllime elektorale për zgjedhjet e fundit. Nga ky këndvështrim duhet të shihet kjo çështje. Sepse presidentja dhe kryeministri kanë të gjitha autorizimet ta shkarkojnë ambasadorin dhe nuk po e bëjnë. Nëse kjo nuk bëhet vijmë të pyetja se pse dhe a jemi të gatshëm si Kosovë ta paguajmë një çmim të imazhin tonë për këtë çështje”, është shprehur ajo, duke shtuar se kryeministri Kurti duhet të deklarohet për këtë skandal dhe të tregojë se ku kanë shkuar parat.
Zyrtarja e lartë e LDK-së ka komentuar edhe videon e fundit të VV-së.
Ajo ka thënë se përmes këtyre videove partia në pushtet po e përçan shoqërinë
“Duke marrë parasysh dekoncentrimin e qeverisë që bën me vide propaganduese, krijon përçarje shoqërore, krijon përçarje në mes të partive politike, duke iu kthyer të kaluarës, duke u marrë me diçka që është komplet jo revanitë për momentin”, ka thënë ajo.
Sipas saj, partia në pushtet nuk e kupton rëndësinë e kohës nëpër të cilën po kalon Kosova.
“Kjo qeveri nuk e kupton se sa e rëndësishme është kjo për Kosovën dhe zgjidhjen që duhet të bëj me Serbinë. Ajo zhvendos vëmendjen në diçka krejt jo relevante të së kaluarës për njerëz të cilët nuk janë as në politikë tani, duke u munduar të thirret në të kaluarën dhe duke pasur mungese të hatashme të rezultateve konkrete qeveritare”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Me tej, ajo ka vlerësuar se VV-ja nxjerrjen e videove propaganduese po e bën në mungesë të rezultateve në qeverisje.
“Ajo nuk po ka çka të prezantoj. Prandaj, duke i kontribuar kështu një përçarje shoqërore dhe në mes të spektrit politik, normal se është vështirë të mbahet uniteti i brendshëm për të arritur rezultatet”, është shprehur ajo.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, pret që vizita e këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në Kosovë dhe Serbia ta kthej procesin e dialogut në binaret e duhur.
“Kjo është në vazhdën e vizitave të zyrtarëve amerikan dhe evropian në Kosovë dhe Serbi, me qëllim që t`i japin shtytje më të fortë dialogut dhe të vije sa më shpejt që është e mundur të një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka vlerësuar se muajve të fundit procesi i dialogut të Brukselit kishte devijuar për fajin e të dyja palëve.
“Nëse e analizojmë dialogut për gjatë muajve të kaluar, ne kemi pasur një devijim të skajshëm të dialogut dhe një eskalim. Normalisht se kjo ka ardhur edhe për shkak të provokimeve nga Serbia, që i ka bërë në veri të vendit, por edhe për shkak të rënies në këtë grackë edhe të Qeverisë së Kosovës. Kemi pasur situata paradoksale për të cilat shpeshherë kemi pasur vendime nga ana e qeverisë dhe pastaj kthim mbrapa”, ka deklaruar ajo.
Lushaku ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës në këtë proces duhet të insistojë që njohja reciproke të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare.
“Ne si parti kërkojmë një koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, para se gjithash me SHBA-të, edhe për shkak se interesat tona historikisht janë mbrojtur nga SHBA-ja. Pra, duhet të ketë një platformë të qartë, një skenar të qartë dhe me të insistuar nga ana e qeverisë sa i përket dialogut, duke sjell versione të ndryshme të cilat do të hapnin rrugë dhe do t`i jepnin më shumë laramani krejt diskutimi. Gjithësi, këto duhet të diskutohen paraprakisht me partnerët ndërkombëtar. Ne kërkojmë me ngulm që ajo të bëhet. Bashkëpunimi e paranderët ndërkombëtar është i domosdoshëm, ne nuk kemi mundësi të ecim përpara”, ka thënë Lushaku-Sadriu.