Kryetarja e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti në arsimin në Kosovë. Lushaku nëpërmjet një video të shkurtër ka përmendur disa nga prioritetet e Qeverisë Kurti për arsimin e të cilat nuk janë realizuar.
Qerdhet, digjitalizimi i shkollave, mbingarkesa në klasët me nxënës, mungesa e mbështetjes për mësimdhënësit e mungesa e teksteve janë vetëm disa nga gjërat që i ka përmendur Lushaku.
Lushaku ka thënë se krejt në fund, ka vetëm akreditim të programeve që s’i duhen Kosovës dhe se Qeveria nuk e ka prioritet arsimin.
“Premtuan 160 çerdhe, asnjë nuk u ndërtua. Miliona orë të humbura mësimore nuk janë zëvendësuar, asnjë progres në tekstet mësimore parauniversitare, asnjë progres në riorganizimin e shkollave, vazhdojmë të kemi mbingarkesa në klasat me nxënës, asnjë masë sigurie për huliganizëm në shkolla, digjitalizimi i shkollave është harruar, nuk ka mbështetje për mësimdhënësit për ngritje kapacitetesh e inovacion në klasë, s’ka ndërlidhje të shkollave profesionale me bizneset, s’ka tekste mësimore e praktika profesionale në shkolla, mungesë totale vizioni e vullneti politik për reformë substanciale në arsimin e lartë, s’ka hulumtime dhe as fond shkence, s’ka ngritje fondesh ndërkombëtare, dhe a e dini çka, ka akreditim të programeve për të cilat Kosova nuk ka nevojë dhe ka zvogëlim të pagave dhe asnjë mbështetje për stafin universitar dhe një gjë është e qartë, kjo qeveri arsimin prioritet nuk e ka, a është ky ndryshimi për të cilin kanë pasur nevojë qytetarët?”, thotë Lushaku.