Lushaku: Pa problemet mes shteteve në Ballkanin Perëndimor nuk do të ekzistonte Procesi i Berlinit

Prishtinë | 29 Qer 2021 | 21:58 | Nga Ekonomia Online

Jehona Lushaku, ligjëruese e Integrimeve Evropiane, vlerëson se pa problemet e Ballkanit Perëndimor nuk do të ekzistonte fare Procesi i Berlinit.

“Po të mos kishte probleme mes shteteve nuk do të ekzistonte as Procesi i Berlinit dhe nuk do të kishte nevojë për një proces të tillë. Janë vështirësitë e këtyre shteteve ato që e kanë sjellë një iniciativë të re të disa shteteve të BE-së për t’i tejkaluar këto probleme”.

“Janë kryesisht probleme që kanë të bëjnë me politikën, me të kaluarën dhe kanë të bëjnë me njohjen e njëri-tjetrit. Ne jemi disa shtete të Ballkanit Perëndimor por që gjatë 20 vjetëve të fundit nuk ke kemi njohur njëri-tjetrin në zhvillim dhe as që dëshirojmë ta njohim. Dëshira për t’i kaluar këto barriera mbështetët pikërisht nga Procesi i Berlinit”, deklaroi Lushaku.

Lushaku në Rubikon mes tjerash tha se Procesi i Berlinit ka një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lidhjen e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian në rrugën e integrimit e po ashtu edhe në rrugën ekonomike, njofton Klankosova.tv.

“Në kuadër të Procesit të Berlinit synohet forcimi në mes të shteteve të rajonit për ekonomitë e vendeve dhe për të rritur bashkëpunimin ekonomik. Problemet politike shpesh herë e zbehin dhe ngadalësojnë madje e vështirësojnë deri në mos implementim të marrëveshjeve të ndryshme që janë në kuadër të CEFTA-së”.

“Duhet thënë që Procesi i Berlinit i ka dhënë një ngjyrë tjetër politike dhe një mesazh të ri shteteve të rajonit që nëse ato i përmirësojnë dhe tejkalojnë deri në një masë aspektet politike mund të përparojnë dhe ta përshpejtojnë procesin e integrimit”, u shpreh Lushaku.

Të ngjashme