Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu, ka kërkuar reagim serioz nga institucionet dhe shoqëria ndaj rasteve të dhunës dhe vrasjeve të fundit në Kosovë, duke vlerësuar se dhuna po zë gjithnjë e më shumë vend në jetën e përditshme, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për këtë gjendje, Lushaku Sadriu ka përmendur rastet e rënda të ndodhura ditëve të fundit, përfshirë tragjeditë në Gjilan, si dhe dhunën në familje, dhunën ndaj grave, kërcënimet dhe konfliktet që përfundojnë me humbje jete.
“Ditëve të fundit, Kosova është tronditur nga vrasje të rënda, tragjeditë në Gjilan dhe rastet e tjera të dhunës, na kanë përballur edhe njëherë me një realitet tepër shqetësues. Dhuna po zë gjithnjë e më shumë vend në jetën tonë të përditshme, familjet në zi e në trishtim, e ne po vazhdojmë të shohim dhunë në familje, dhunë ndaj grave, kërcënime, dhunë verbale, konflikte që përfundojnë me armë e jetë të humbura. Kemi ardhur në një situatë shqetësuese ku konfliktet dhe marrëveshjet po marrin përmasa të rrezikshme deri në humbjen e më të dashurve tanë, prandaj kjo gjendje kërkon reagim serioz, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga gjithë shoqëria”, tha ajo.
Lushaku Sadriu ka theksuar se dhuna verbale është bërë e pranishme në familje, në rrugë, në rrjete sociale dhe në debate publike. Ajo ka kërkuar që institucionet e drejtësisë dhe Policia të trajtojnë me seriozitet kërcënimet, ndërsa ka bërë thirrje për masa ndaj armëve ilegale dhe për ndryshim të mënyrës së komunikimit mes qytetarëve.
“Kemi një problem fatkeqësisht edhe shoqërorë. Sot dhunën verbale e shohim gjithandej, familje, rrugë, rrjete sociale e debate publike. Çdo qytetarë shpesh përballet për mendimin që shpreh. Figurat publike përballen me fyerje, kërcënime e linçime, për qëndrimet që shprehin, sulmohen vetëm pse mendojnë ndryshe. Kjo nuk është liri e shprehjes për ta heshtur tjetrin.. Shteti duhet të reagoj fort me ligje të forta, policia që duhet të marrë tepër seriozisht kërcënimet, prokuroria dhe gjykata duhet të veprojnë në kohë, armët ilegale duhet të largohen nga duart e atyre që rrezikojnë jetët e tyre. Kemi nevojë edhe për një ndryshim, për mënyrën se si sillemi me njëri tjetrin”, tha Lushaku Sadriu.