Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit PISA, ku sipas tij, Kosova është ranguar më keq se në vitin 2014 e 2018.
Ajo ka kritikuar qeverinë duke thënë se arsimin e sheh si sistem të dobësimit të shoqërisë, luftës politike dhe kontrollit të masës.
“Të dhënat e Testit PISA po rangojnë Kosovën në vitin 2023 më poshtë se kurdoherë. Ka përkeqësim në të kuptuar në lexim e ka përkeqësim në matematikë dhe shkencë. Vendi i 76 nga 80 sa janë. Ky është rezultati i saktë i një qeverie, që arsimin e sheh si sistem të dobësimit të shoqërisë, luftës politike dhe kontrollit të masës”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka thënë tutje se “kjo qeveri”, arsimin e ka karrem kontrolli.
“A ju kujtohet kur thonin që do të ndërtojmë çerdhe dhe sot se kompletuan asnjë? Aty është zanafilla e të kuptuarit dhe leximit. Shumica fëmijëve të Kosovës ende nuk janë të përfshier në sistemin parashkollor. A ju kujtohet kur 1050 shkolla me mbi 320 mije fëmijë humbën qindra mijëra orë mësimore për katër javë në fillim vitin 2022? Kryeministri nuk pranonte as që të fliste me arsimtarët grevistë. Performanca e arsimtarëve është garant i cilësisë në klasë e bazohet në motivimin që i siguron sistemi qeverisës. A ju kujtohet kur filloi viti shkollor 2023, e fëmijët shkuan pa tekste shkollore për javë të tëra? Qindra mijëra orë mësimore humbën pa pasur tekste dhe përmbajtje. Nuk ka si të ketë rezultate, nëse veç këto tri elemente merren për bazë. Kjo qeveri, arsimin e ka karrem kontrolli”, ka vijuar ajo.