Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi ka deklaruar deklaruar mbrëmë se kryeministrin e tanishëm të vendit, Albin Kurtin e ka pasur bashkëluftëtarë.
Duke komentuar një deklaratë të dhënë ditë më parë nga Albin Kurti se skena politike e Ballkanit Perëndimor duhet pastruar nga kriminelët e luftës, Remi tha se në vendin tonë nuk ka pasur krime lufte nga çlirimtarët, derisa shtoi se Kurtin e ka pas bashkëluftëtarë.
Kjo deklaratë e ish-komandant Remit bëri bujë të madhe, e lidhur me këtë ka reaguar edhe zyrtari i lartë i PDK-së, Sami Lushtaku.
Ish-komandanti i UÇK-së, Lushtaku tha për lajmi.net se Albin Kurti as nuk ka pasur vullnetin e as guximin që të jetë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Madje ai ka kujtuar edhe një moment të Kurtit kur i kishte vizituar pjesëtarët e UÇK-së në Likoc të Drenicës.
“E mbaj në mend kur ka ardh në Likoc e ne kemi kërku me qëndru me neve, por ai nuk ka pranuar dhe ai kurrë s’ka qenë ushtar i UÇK-së”, tha Lushtaku.
Lushtaku theksoi se Kurti kurrë s’ka qenë pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Edhe pse pas luftës atij i ka mbet merak, por na nuk jemi fajtor pse ai kurrë nuk e ka pas as vullnetin e as guximin”, shtoi Lushtaku.
Lidhur me deklaratën e Komandant Remit kanë reaguar edhe ish-pjesëtarë të shumtë të UÇK-së ku theksuan se Albin Kurti gjatë luftës ka qenë vetëm përkthyes i Adem Demaçit dhe në momentin që Demaçi kishte mbyllur zyrën ai nuk ka qenë pjesë e luftës në asnjë zonë.
Por është vetë Albin Kurti që dikur në një dokumentuar të realizuar gjatë kohës së luftës në Kosovë ku flasin aktivitë e artistë të shumtë në Prishtinë, ai pati deklaruar se personalisht nuk do të kapte kurrë armën, pasi dëshiron që ndryshe t’i zgjidhë problemet.
“Nuk mund të kesh një luftë klasike dhe frontale, në mes të dy ushtrive. Nuk ka kësi lloj lufte. E keni parë Bosnjën, dhe e keni parë se është një nga luftërat më të tmerrshme. Shumë njerëz të pafajshëm duke vdekur. Nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë. E kam thënë se mes luftës dhe dorëzimit preferoj zgjidhjen pa dhunë”, tha Kurti në këtë dokumentar.