Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku sot ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndaj të cilëve po vazhdon gjykimi në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Me zemra të forta, shpirtra të qetë dhe krenari të palëkundur, ata dëshmojnë se e vërteta e luftës sonë të drejtë për lirinë e Kosovës nuk mund të sfidohet nga padrejtësitë”, ka shkruar ndër të tjera Lushtaku në Facebook.
Ai shton se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mishërimi i sakrificës dhe qëndresës së popullit, e vendin e tyre e kanë mes këtij populli.
“Ata janë mishërimi i sakrificës dhe qëndresës së popullit tonë. Vendin e tyre e kanë mes nesh, aty ku historia i ka skalitur si heronj dhe burra të lirisë. Dhe aty do të kthehen, sepse drejtësia gjithmonë triumfon!”, u shpreh tutje deputeti.