Avokatja e Sami Lushtakut, Besjana Ismajli, ka njoftuar se ka dorëzuar padi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje “për shpifje dhe dëmtim të reputacionit”, raporton Ekonomia Online.
Ismajli tha se padinë e ka dorëzuar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me deklarimet se Lushtaku posedon terminal doganor.
“Shpifja është bërë më datë 10.10.2024 në profilin e Facebookut të Lëvizjes Vetëvendosje, shpifja e bërë kundrejt klientit tim, Sami Lushtaku, e që sipas tani me të paditurës Lëvizjes Vetëvendosje pretendohet se klienti im Sami Lushtaku ka terminal doganor si dhe është përfitues i mijëra euro nga buxheti i Kosovës”.
“Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për shpifje dhe fyerje, i cili ligj e ka përcaktuar përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje dhe me këtë rast përgjegjës për shpifje është subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje. Deklarimi i Vetëvendosjes është i paqëndrueshëm, i pa vërtetë dhe i pa argumentuar, dhe se informacionin se Sami Lushtaku nuk ka terminal doganor është fakt që Vetëvendosje e di dhe është dashur ta di”, u shpreh ajo.
Ismajli ka thënë se për këtë padi kanë kërkuar edhe kompensim, veçse nuk e kanë caktuar ende shumën, raporton EO.
“Në mbështetje të nenit 14 të këtij ligji ne e kemi kërkuar edhe kompensimin e dëmit. Kompensimi i demit duhet të jetë në proporcion me dëmin e shkaktuar dhe duhet pasur për bazë edhe reputacionin e veçantë të Sami Lushtakut, me një respekt të lartë në Republikën e Kosovës, pra klienti im asnjëherë nuk ka pas terminal doganor siç pretendon e paditura Lëvizja Vetëvendosje. Atë e kanë bërë pronar pa pas bazë ligjore dhe pa asnjë provë konkrete por gjithnjë për përfitime politike e me qëllim degradimi figurën e Sami Lushtakut”, u shpreh ajo.