Lushtaku për Matoshin: Sikur kur del prej një shtëpie publike, ajo dhe të të tjerë të kenë kujdes çka flasin

Prishtinë | 04 Dhj 2025 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se niveli i ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, është sikur me dal prej një shtëpie publike e jo se ishte deputete.

Këto deklarata Lushtaku i dha të enjten pasi u betua si kryetar i Skenderajt. Ai u pyet për deklaratat e Matoshit, e cila e akuzonte Lushtakun se kishte blerë toka publike me çmim qesharak e më pas i kishte shitur me çmime astronomike. Matoshi e pati kritikuar edhe Mërgim Lushtakun, djalin e Samisë.

“Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë. Prandaj, të gjithë ne që jemi në politikë duhet të kemi kujdes maksimal, të mos ofendojmë. Nëse ka dikush vërejtje për punën dhe angazhimin tonë, le të flasin me fakte”, ka thënë Lushtaku para mediave pas betimit.

Ai është pyetur edhe rreth ‘rikthimit’ të Ramiz Lladrovcit në PDK, për të cilin tha se ‘beson se nuk është PDK” por se ‘i respekton vendimet e partisë’.

“Mendimet asnjëherë nuk i ndryshoj, për mu Lladrovci nuk është PDK por unë i respektoj vendimet e kryetarit dhe kryesisë së partisë”, tha Lushtaku për Demos.

Të ngjashme