Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar sot planin për rritjen e tarifave të çmimit të rrymës për 15 për qind. Me këtë rast, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku vlerëson se ky është mashtrimi i radhës i kryeministrit, Albin Kurti.
Lushtaku thotë se nuk është e arsyeshme që të ketë rritje të energjisë elektrike, dhe kjo sipas tij, është keqqeverisje e kryeministrit Kurti.
Ai potencoi se ka dyshime të bazuara që energjia po keqpërdoret.
“Nuk është e arsyeshme që të ketë asnjë cent rritje të energjisë elektrike, por është keqmenaxhim i KEK-ut, është keqqeverisje e Albin Kurtit si kryeministër i vendit dhe me gjithë dikasterët e tyre…ne e dimë shumë mirë që koha më e vështirë për energjinë elektrike është sigurisht në dimër, e jo në këtë kohë. Por meqenëse nuk kemi pasur dimër të vështirë, po shihet që ka me të vërtet dyshime të bazuara, që ka edhe keqpërdorim të mëtutjeshëm të energjisë“, deklaroi ai në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Deputeti i PDK-së theksoi se “Kurti edhe gjithë dikasteri për pjesën e energjetikës ka pasur mundësi që të investojë më shumë në KEK që të ketë më shumë prodhim të energjisë elektrike dhe mos të jemi të varur nga importi”.
Rritja prej 15 përqind është ndarë në disa kategori dhe do të hyjë në fuqi më 1 prill.