Lutfi Haziri është kundër koalicionit me “Mr. Bean”

Prishtinë | 29 Tet 2019 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është emëruar Shef i Ekipit Negociator për bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje, e pas këtij emërimi bisedime shumë të vështira do ta presin partinë e Albin Kurit, pasi do të flasin me njeriun i cili doli publikisht kundër koalicionit me Vetëvendosjen, shkruan Gazeta Metro.


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri gjatë tërë fushatës e kishte krahasuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, me komedianin Mr.Bean, kjo për arsye se Kurti kërkoi që Vjosa të bëhet Kryeparlamentare e vet ai Kryeministër.

“Kurrë më ata me neve sun punojnë veç në TV kanë me na pa, edhe ata nëse ju jep naj pare. Edhe ky lideri tjetër që u ba si Mr.Bini ka hy në kravatë e u qethë nuk mundet dhe nuk ka të drejtë, nuk mundet për tri arsye që Vjosa duhet me u ba kryetare e kuvendit, na i kena thanë jo Vjosa ka me u ba kryeministre”, pati thënë Haziri.

Haziri i cili ishte kundër një koalicionit me Vetëvendosjen para fillimit të zgjedhjeve, kishte listuar një numër problemesh pse LDK dhe VV nuk mund të përshtaten, duke nisur që nga raporti i Albin Kurtit ndaj figurës së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Raporti i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj figurës së Rugovës si lider e themelues i kësaj Republike mund të jetë determinues për mundësinë e bashkëpunimit nesër. Tash për tash, mosbesimi mes dy partive tona është i madh dhe kjo ka ndodhur, jo vetëm nga kontestimi i figurës së Rugovës, por edhe ai agresiviteti opozitar karshi Qeverisë Mustafa, që ka qenë i paparë deri në këto kohë dhe i papërsëritshëm, ndoshta”, kishte thënë Haziri në tetor të këtij viti, transmeton Gazeta Metro.

Madje Haziri kishte thënë se nuk do ta lejonin kapjen e re të shtetit, duke krahasuar deklaratat e Albin Kurtit shteti është i kapur nga partitë e caktuar politike dhe grupet kriminale dhe se ata do ta çkapin shtetin.

“LDK ka qenë gjithmonë gardiane e kësaj demokracie, sado fragjile që është. Të jeni të sigurt se çkapja e shtetit, që është bërë si politike populiste në Kosovë, nuk ka me u leju me u zëvendësu me kapjen e re të shtetit”, kishte shkruar Haziri në Facebook.

Tanimë pas fitores së Vetëvendosjes, Haziri kishte tensionuar situatën ku kishte deklaruar se ” VV’ja nuk kishte burrni me u rreshtu pas një gruaje si kryeministre”, deklaratë kjo që ngjalli reagime të shumta nga ana e anëtarëve të VV’së dhe akuzuan Hazirin se nuk po dëshiron koalicion mes dy partive.

Por, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur edhe për emërimin e Lutfi Hazirit si shef i negociatave për arritjen e koalicionit, duke thënë se ai ishte personi shtytës për mos arritjen e koalicionit parazgjedhor mes dy partive, mirëpo sipas tij ai nuk duhet të mban përgjegjësi penale për ato deklarata dhe qëndrime karshi VV’së, transmeton Gazeta Metro.

“Lutfi Haziri mund të ketë qenë si personi shtytës për mos arritjen e këtij koalicioni, por nuk është se tash ai duhet të mbaj përgjegjësi penale për ato deklarata apo qëndrime… Ai ka qenë qëndrim i tij politik. Ne kemi respektuar qëndrimet e LDK-së për të shkuar të vetme në zgjedhje”, ka thënë Konjufca.

Kujtojmë se vetëm 1 ditë pasi përfunduan zgjedhjet, me 7 tetor kandidati që dështoi për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, kishte thënë se me fitoren e thellë të Vetëvendosjes në Gjilan ndaj LDK’së, kryetari Lutfi Haziri nuk ka më legjitimitet për të udhëhequr me këtë komunë.

Kujtojmë se grupet punuese mes VV’së dhe LDK’së do të takohen përsëri dhe tani me ndryshime të reja në përbërjen e LDK’së.

Deri tani LDK dhe VV nuk po pajtohen për ndarjen e posteve ministrore dhe pozitave të tjera të larta shtetërore.

Të ngjashme