Alketa Xhafa-Mripa e ka dëshmuar tashmë se nuk i frikësohet trajtimit të temave të ndjeshme. Artin e shfrytëzon si deklaratën më të fuqishme për të ngritur zërin kundrejt padrejtësive. Këtë e ka bërë tashmë me instalacionin e suksesshëm “Mendoj për ty”, që u dedikohej viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, apo edhe me instalacionin “Refugees Welcome”, ku ajo dëgjoi zërin e refugjatëve, e që lidhej mjaft mirë me situatën e atyre që migruan nga Lindja e Mesme nëpër shtete të botës gjatë dy vjetëve të kaluar.
Një tjetër çështje po kaq të ndjeshme ajo do ta trajtojë përmes projektit të radhës. E ka titulluar “Lutja e heshtur e së premtes”. U dedikohet qytetarëve të Palestinës. Këtë ide ajo do ta paraqesë të premten (sot) në muzeun e njohur britanik të artit bashkëkohor, “Tate Modern”. Xhafa-Mripa do të bëhet pjesë e asaj që titullohet “Who are we?” (Kush jemi ne), që organizohet nga “Tate Exhchange”.
Konflikti midis Palestinës dhe Izraelit megjithëse e kishte prekur kohë më parë artisten kosovare, e cila jeton në Londër, ka një shpjegim shtesë përse ajo tani ka vendosur ta trajtojë përmes artit.
“Arsyeja përse e kam zgjedhur është se po më kthehen kujtimet e fëmijërisë, kohën e regjimit serb kur kemi menduar se zërat tanë nuk po dëgjohen. Më kujtohet si e vogël kur i kam parë raportet e para në lajme për protestat e studentëve, aty e kam kuptuar se zëri ynë po dëgjohet. Sot është ndryshe, me rrjetet sociale, mediat online. Është me e lehtë, zëri i tyre po dëgjohet”, ka thënë Xhafa-Mripa.