LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, ka lansuar edicionin e dytë të LuxAid Demonstration Fund (LDF), duke vazhduar mbështetjen për bizneset inovative në Kosovë përmes bashkëfinancimit të projekteve digjitale dhe të gjelbra.
Sipas komunikatës, përmes kësaj thirrjeje “mbi 1 milion euro do të vihen në dispozicion”, ndërsa kompanitë e përzgjedhura do të përfitojnë bashkëfinancim “prej 100 mijë deri në 350 mijë euro për projektet e tyre”, me qëllim të zgjerimit të aktivitetit, rritjes së konkurrueshmërisë dhe krijimit të ndikimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror në Kosovë.
LuxDev bën të ditur se LuxAid Demonstration Fund synon të bashkëfinancojë projekte biznesore inovative në dy fusha kryesore: “inovacionin digjital dhe inovacionin e gjelbër”.
Në kuadër të inovacionit digjital, thirrja do të mbështesë projekte që fokusohen në fusha si “inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave, automatizimi, fintech, e-commerce, siguria kibernetike, ofrimi i shërbimeve ICT të gatshme për eksport, si dhe zgjidhje HealthTech dhe e-shëndetësisë, me fokus të veçantë në kujdesin kardiovaskular”.
Ndërsa në aspektin e inovacionit të gjelbër, sipas komunikatës, do të mbështeten “zgjidhje inovative që tashmë funksionojnë dhe kanë treg, të cilat synojnë kursimin e energjisë dhe kalimin drejt energjisë së pastër, zbatimin e modeleve të ekonomisë qarkore dhe shfrytëzimin e mbetjeve, si dhe ofrimin e zgjidhjeve për përballjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në reduktimin e emetimeve të CO2 dhe në menaxhimin efikas të burimeve natyrore”.
Nga kjo mbështetje mund të përfitojnë kompanitë që “janë të regjistruara në Kosovë para 1 nëntorit 2022, punësojnë të paktën pesë persona, kanë qarkullim nën 50 milionë euro dhe ofrojnë një produkt ose shërbim inovativ të testuar në treg, me të ardhura të dëshmuara për së paku një vit”.
Po ashtu, projektet duhet të kenë kohëzgjatje “një deri në dy vite”, ndërsa aplikantët duhet të jenë në gjendje të “bashkëfinancojnë të paktën 50 për qind të shpenzimeve totale”.
LuxDev njofton se nga të gjitha aplikimet, “dhjetë kandidatët që do të përzgjidhen në listën e ngushtë do të përfitojnë mentorim për realizimin e propozimit dhe përgatitjen e prezantimit përpara komisionit përzgjedhës”. Prezantimet pritet të mbahen në qershor 2026, ndërsa “vendimi final do të shpallet në korrik 2026, me përzgjedhjen e tre deri në katër projekteve fituese”.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 6 shkurt 2026. Ndërkohë, një webinar informues do të mbahet më 14 janar 2026, në ora 10:00, ndërsa dy sesione informuese me prani fizike do të organizohen më 21 dhe 28 janar 2026.