Lëvizja Vetëvendosje është përfshirë në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti njoftoi dje se ai vetë dhe dy gra nga LVV do të garojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në RMV.
Partia që ka pushtetin në Kosovë, do të garojë në Maqedoninë e Veriut me koalicionin e partive opozitare “VLEN”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i ketë tre kandidatë për deputetë, me koalicionin VLEN. Ne do të jemi pjesë e fitores që VLEN! Në Njësinë Zgjedhore 1, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Nafie Selmani. Në Njësinë Zgjedhore 2, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Medine Ukshini. Ndërsa në Njësinë Zgjedhore 6, kandidat me numrin 2 në listë do të jem unë, Bekim Qoku”, shkroi ky i fundit në një postim në Facebook.
“Në Maqedoninë e Veriut Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë aktivistë dhe simpatizantë. Bashkë do të punojmë sot për Ndryshimin që VLEN e nesër për forcimin e popullit tonë shqiptar!”, shtoi ai.