LVV-ja dikur e quante kriminel Oliver Ivanoviqin, sot Albin Kurti e bëri hero!

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 22:00 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoje të publikuar të hënën në Facebook, përkujtuar Oliver Ivanoviqin, politikanin serb që u vra pesë vjet më parë.

Ai aty e konsideroi Ivanoviqin një person të përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.

Por, Lëvizja Vetëvendosje kishte mendim ndryshe vite më parë për Ivanoviqin.

Në një komunikatë të publikuar ueb-faqen e LVV-së më 21 janar të 2016’s, thuhej se “drejtësisë me komponent ndërkombëtare i janë dashur gjithsej 17 vite që ta shpallin të fajshëm personin përgjegjës për vrasjen, lëndimin, dëbimin dhe shkatërrimin e pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës”.

Ky reagim i lëshuar atëkohë vinte pas dënimit të Oliver Ivanoviqit me nëntë vjet burg për krime lufte nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

“Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e LVV-së, e cila tashmë është fshirë nga arkivi i këtij subjekti politik.

Sipas LVV-së së atëhershme, shpallja e aktgjykimit ndaj Oliver Ivanoviqit shpërfaq edhe njëherë padrejtësinë ndërkombëtare, pasi siç thonin ata, veprat për të cilat është gjykuar Oliver Ivanoviqi përbëjnë veprat penale të nivelit ndërkombëtar, e që konsiderohen si vlera të mbrojtura në të mirë të mbarë njerëzimit.

“Veprimet e grupit të Ivanoviqit nuk dhunuan vetëm vlerat e mbrojtura me ligjet vendore. Ata dhunuan vlerat e mbrojtura me katër konventat e Gjenevës dhe aktet e tjera që sanksionojnë veprimet të tilla si krime ndërkombëtare. Shqiptimi i një dënimi të tillë e tregon më së miri gatishmërinë që sunduesit e ligjit sa janë të gatshëm të mbrojnë postulatet më vlefshme dhe të mbrojtura në nivel ndërkombëtar”, vazhdonte reagimi i LVV-së.

LVV-ja e konsideronte Ivanoviqin si njeriu që ka shkaktuar vrasjen e 41 shqiptarëve, por pothuajse pas shtatë vitesh, Kurti thotë se “vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë”.

“Me dhjetëra dëshmitarë e prova materiale, gjyqtarëve të trupit gjykues nuk iu mjaftuan që të tregojnë barrën e vërtetë të Oliver Ivanoviqit i cili me veprimet e tij konkrete dhe me urdhrat e dhënë ka shkaktuar vrasjen 41 shqiptarëve, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e më shumë se 12 mijë qytetarëve shqiptarë. Ky trup gjykues e tregon standardin e shumëfishtë, ku për pjesëtarët e UÇK-së i mjaftojnë dëshmitë njëburimore, ndërkaq për gjykimin e kriminelëve të kalibrit të Oliver Ivanoviqit mjaftohen me shqiptimin e një dënimi i cili në vete paraqet poshtërimin më të ultë ndaj të gjitha viktimave që kanë pësuar nga veprimet e grupit të Ivanoviqit”, theksonte LVV-ja atëbotë.

“Ky grup do të duhej të ishte përgjegjës jo vetëm për krimet e kryera ndaj popullsisë civile, por veprimet e tyre në mënyrë tipike paraqesin elementet e veprave penale të gjenocidit dhe krimit kundër njerëzimit. E sigurisht që ata duhet të mbajnë përgjegjësinë edhe për trajtimin dhe zhdukjen e qindra robërve të luftës të cilët edhe në ditët e sotit nuk janë gjetur”.

“Përkundër padrejtësisë të vazhdueshme me të cilat ballafaqohen qytetarët, krimet e llojit të grupit të Ivanoviqit nuk parashkruhen asnjëherë. Për këtë popullit të Kosovës i mbetet që në një shtet të së drejtës ta mundësojë ndjekjen dhe gjykimin e të gjithë kriminelëve të luftës që ishin të komanduar drejtpërdrejt nga shteti i Serbisë”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes.

Kryeministri Albin Kurti sot tha se “ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen.

“Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, tha Kurti.

Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës, shkruan Paparaci.

Për këtë, shefi i qeverisë u shpreh se nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.

Të ngjashme