“Partneriteti publiko-partiak; Prona publike, punëtorët e partisë”, është mbishkrimi që aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë vendosur tek objekti i Postës në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Përmes këtij aksioni simbolik, Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur revoltën ndaj punësimeve partiake në kompanitë publike.
Aktivisti i Vetëvendosjes, Avni Zogiani, tha se ky aksion është denoncues në lidhje me dukuritë e fundit për përdorimin e sektorit publik për qëllime të sistemimit të familjarëve të liderëve.
“Pasuria që i shpëtoi likuidimit nga privatizimi tani po gllabërohet nga familjarët e liderëve në Kosovë, kanë filluar një fushatë masive të punësimit të familjarëve në kompani publike si Telekom që është e vetmja alternativ që i japin ata ndaj një situate të rëndë në sektorin publik”, tha Zogiani.
Sipas Zogianit, Kuvendi ka sjell disa rezoluta për shpëtimin e kompanive publike, por sipas tij, ato nuk respektohen.
“Kemi arrogancë të jashtëzakonshme të liderëve politik dalin para media dhe thonë që po të kishin mundësi s’do punësonin gjithë familjarët. Kjo mendoj se nuk është rastësi, ideja e këtij deklarimi konsiston në bërjen e pranueshme në legjitimimin e një gjeje jo ligjore që kanë shkelur ligjin”, shtoi ai, raporton Ekonomia Online.
LVV-ja pret që të ketë hetim të prokurorisë dhe të ringjallen kompanitë publike.
“Ne presim që hetimi i prokurorisë të mos jetë shpëlarje e hetimeve për të siguruar se do ketë mosndeshkueshmeri, sektori publik në vend se politika të ringjallet e kompanitë të rifunksionalizohen, ne kemi politika që rëndojnë më shume dhe qëllimshëm nga partitë në pushtet”, u shpreh Zogani, raporton Ekonomia Online.